Prej më shumë se një muaji, gjykata e Tiranës ende nuk ka vendosur nëse do të pranojë kërkesën për gjykim ndaj ish kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshit. Ai i akuzohet për falsifikim të dokumenteve, akuze e cila ka të bëjë me formularin e dekriminalizimit, ku Rroshi kishte shënuar se nuk kishte patur precedentë të mëparshëm penale.

Por nga verifikimi i prokurorisë rezultoi se kishte patur disa masa sigurimi, ndalime dhe dëbime në Itali, Zvicër dhe Gjermani.Përveç mungesave të palëve në proces dhe problemet me njoftimin, një tjetër shkak për zvarritjen e këtij procesi paraprak, ishte dilema se kush gjykatë ishte kompetente për të gjykuar Rroshin, ajo e Kavajës apo gjykata e Tiranës.

Për këtë arsye, gjykata i kërkoi prokurorisë që të specifikonte nëse Rroshi e kishte plotësuar formularin e dekriminalizimit në Kavajë, apo në Tiranë.  Sipas verifikimeve të prokurorisë rezultoi se Elvis Roshi e kishte plotësuar formularin në Tiranë dhe për rrjedhojë vepra penale e falsifikimit është konsumuar në Tiranë, duke bërë kompetente gjykatën e Tiranës.

Por edhe pas sqarimit të këtij momenti avokati mbrojtës i Rroshit kërkoi një tjetër shtyrje, pasi pretendoi se duhet të njihet me aktet në tërësi. Për këtë arsye gjykata e ka shtyrë për ditën e martë dhënien e vendimit për pranimin e kërkesës për gjykim ose jo./TCH