Është shtyrë sërish seanca ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe 29 të pandehurve të tjerë. Seanca e radhës do të mbahet në datën 3 prill në orën 9:00.

Në seancë e kësaj të mërkure, 1 prill, Veliaj, nuk ka qenë prezent, por ka kërkuar që të përfaqësohet nga avokati i tij Plarent Ndreca. Nuk ka qenë e pranishme as bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila u përfaqësua nga mbrojtësit ligjorë të saj. Në seancë ishte i pranishëm vetëm Elman Abule.

Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, ka deklaruar për mediat se procesi po zhvillohet në mënyrë të nxituar dhe me gabime proceduriale. Sipas Ndrecës, lidhja që prokuroria po bën me klientin e tij është “emocionale” dhe nuk i ka dhënë Veliajt mundësinë e duhur për mbrojtje, ndërkohë që ai ka nisur vetë leximin e dosjes për të përgatitur mbrojtjen.

Avokati theksoi gjithashtu rëndësinë e një procesi të hapur për publikun, duke kërkuar që seanca të transmetohet me kamera live.

 “Siç ju e vëzhguat nuk kishte lodhje fare me kërkesat që kanë të bëjnë me Veliajn, kishte të bënte me një kërkesë të një kolegu tjetër. Ka një nxitim për të bërë proces, i cili është masiv dhe voluminoz, i cili ka humbur një shkallë, duke mos i lënë Veliajt hapësirën për t’u mbrojtur. Lidhja që bën prokurori me Veliajn është emocionale. Nuk ka një strategji për të shtyrë seancën. Ne na kërkohet që për çdo javë të japim shpjegimet tona, ndërkohë që mua si avokat nuk më është dhënë akoma dosja.

Veliaj ka filluar që të lexojë dosjen dhe do të vijë për ta mbrojtur çështje vetë. Veliaj është i vendosur për të mbrojtur çështjen e tij. Ka filluar leximin. Ky procesi tregon qëllimin, që kërkohet të bëhet një proces i parregullt ligjor. Jemi të vendosur që të këtë çështje ta realizojmë në sy të publikut, kërkojmë që të jetë me kamera live. Nuk kemi asnjë drojë nga asgjë që ndodh në seancë gjyqësore. Ne e dimë të vërtetën dhe kërkojmë që këtë të vërtetë ta dijë dhe publiku”, u shpreh avokati i Veliajt.