Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi refuzoi për të disatën herë kërkesën e opozitës për mbledhjen e Këshillit të Mandateve për çështjen Balluku, sjellje që sipas ekspertëve të ligjit, bie ndesh me frymën e Rregullores dhe cenon parimin kushtetues të barazisë para ligjit.
Deputetët e Partisë Demokratike, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ngjitën më kot të martën shkallët e Kryesisë së Kuvendit në pritje për të zhvilluar mbledhjen e kërkuar prej tyre për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku.
Kërkesa e tyre u refuzua për herë të tretë nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.
Peleshi nuk iu përgjigj të martën pyetjeve të BIRN mbi arsyet e shtyrjes pa afat të thirrjes së Këshillit që prej mbledhjes së vetme të zhvilluar më 19 dhjetor, ndërkohë që një këshilltar i tij referoi një përgjigje zyrtare të dhënë prej tij më datë 24 dhjetor për anëtarët e opozitës.
Në këtë letër, Peleshi e justifikonte refuzimin për thirrjen e mbledhjes me kërkesën e mbrojtjes së Ballukut për 3 javë kohë për t’u njohur me dokumentacionin përkatës në mënyrë që të zhvillohej një proces i rregullt ligjor.
“Për sa kohë ky proces nuk është përmbyllur dhe palët nuk janë pajisur realisht me kohën e nevojshme për ushtrimin e kësaj të drejte, nuk plotësohen kushtet procedurale për caktimin e një date të re mbledhjeje,” shkruan kreu i Kuvendit në përgjigje.





