Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) ka bërë të ditur se 409 veta kanë humbur jetën këtë vit, gjatë përpjekjeve për të kaluar Detin Mesdhe. Më shumë se tri të katërtat e vdekjeve kanë ndodhur në rrugën midis Turqisë dhe Greqisë. Njoftimi vjen një ditë pasi Roja Bregdetare turke ka bërë të ditur se 27 migrantë kanë vdekur, pasi anija e tyre është fundosur në Gjirin e Edremit, teksa përpiqej të arrinte ishullin grek Lesbos. Organizata Ndërkombëtare për Migrim ka thënë po ashtu se qysh nga 1 janari, 76 000 njerëz kanë arritur në Evropë përmes detit, që do të thotë afro 2 000 njerëz në ditë. Shumica e tyre ikin nga lufta dhe mizoria në Lindjen e Mesme. Evropa, vitin e kaluar, ka parë krizën më të madhe me migrantë qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Vetëm në Gjermani, mbi 1 milion veta kanë kërkuar azil në vitin 2015.