DURRES, 18 qershor 2013 – Shtypi shqiptar ka botuar një përmbledhje të artikullit të gazetarit Thomas Fuster me titull "Në Shqipëri s’blejnë frigoriferë nga frika se shkon Berisha dhe ua inauguron", i cili u botua para disa orësh në gazetën zviceriane “Neue Zuercher Zeitung” me titull "Ekonomia e Shqipërisë: Frigoriferë të rinj dhe probleme të vjetra".

Inagurimet e përditshme të rrugëve nga kryeministri Sali Berisha nuk i kanë shpëtuar as mediave zviceriane, pasi gazeta Neue Zuercher Zeitung ka bërë një shkrim mbi situatën aktuale në vend dhe fokusi vihet tek ekonomia.

Shkrimi është realizuar nga gazetari Thomas Fuster, i cili nuk  ka lënë pa ironizuar veprimet e fundit të qeverisë, e cila sipas tij nuk po lë situatë pa e shfrytëzuar për qëllime elektorale.

Popullsia në Shqipëri është këshilluar këto ditë që të mos blejë frigoriferë të rinj. Në rast se blejnë një të tillë rreziku është shumë i madh që në kuzhinën e tyre të shfaqet krejt papritur kryeministri Sali Berisha, së bashku me një ushtri gazetarësh dhe fotografësh, për të inauguruar me ceremoni blerjen e frigoriferit,- shkruan gazetari.

Ndërsa lidhur me inagurimet e kryeministrit shton se projektet copëtohen në etapa, në mënyrë që çdo pjesë të inaugurohet dhe të festohet. Në këtë mënyrë ekziston dyshimi se tashmë shiritat e inaugurimit të jenë më të gjatë se rrugët.

Më tej gazeta lëshon një shuplakë ndaj qeverisë, ku thuhet se në sistemet tatimore dhe ekonomike në vend punonjësi janë kryesisht militantë partie dhe jo profesionistë.

Më tej gazetari shprehet se pavarësisht se kryeministri deklaron se Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që i rezistoi krizës, Prodhimi i Brendshëm Bruto është vetëm 31% e mesatares së Bashkimit Evropian, ku vërtet ka pasur një rritje prej 1.6%, por ajo është sfumuar nga reçensioni, duke theksuar se çudia është që në një vend që mund të prodhojë ushqimet vetë, gjërat importohen. 

Gazeta shkruan se me 150 euro arrihet të jetohet në një nga vendet më të varfra në Evropë, ndërsa shton se të ardhurat për familjet kanë rënë ndjeshëm, për shkak të krizës në Greqi dhe Itali, e cila ndikoi tek emigrantët.

Sipas saj bankat janë duke luftuar me kreditë e këqia, pasi kompanitë janë duke u përballur me vështirësi likuiditeti. Gazetari bën përgjegjëse qeverinë për mungesën e politikave ndihmuese.