Aventura e Italisë në Euro 2024 përfundon në raundin e 1/8-tave.

Në Olympiastadion, skuadra e Spallettit u mposht nga Zvicra e shqiptarëve 2-0 dhe u kthye në shtëpi në ndeshjen e tyre të parë me eliminim direkt.

Në Berlin, Xhaka me shokë dominojnë në fushë duke zhvilluar një futboll cilësor përballë një Italie pa ide.

Donnarumma ndali sulmuesin Embolo, në minutën e 24 duke bërë një pritje shpëtimtare, por më pas Freuler zhbllokoi ndeshjen me një goditje potente i ndihmuar edhe nga portieri i PSG-së dhe kjo pjesë u mbyll 1-0 për Zvicrën.

Në fraksionin e dytë Italia tentoi të reagonte me zëvendësime, por menjëherë Vargas dyfishoi rezultatin me një gjuajtje të bukur me këmbën e djathtë, duke ngrirë rezultatin dhe duke eliminuar të kaltrit.

Në çerekfinale Zvicra e do të përballet me fituesen Angli-Sllovaki.

“Goli i dytë në fillimin e pjesës së dytë na goditi psikologjikisht dhe ne nuk ishim shumë të mprehtë. Diferencën e bëri ritmi, ata ishin më të shpejtë se ne në pjesën e parë. I ndryshova lojtarët, por nuk jemi në gjendje të bëjmë më shumë se kaq. Përgjegjësia është imja, unë kam bërë zgjedhjet. Do të flas me presidentin Gravina, do të dëgjojmë se çfarë do të thotë”, tha trajneri i Italisë, Luciano Spalletti.