Rreth një muaj më parë gjatë kohës sa ishte duke u emetuar drejtpërdrejt emisioni i njohur i debatit “Arena” në televizionit publik të Zvicrës “SRF’, një i ri, pjesë e publikut të ulur mbrapa panelit debutues, kishte bërë me duar shenjën e shqiponjës. Ky gjest tashmë identifikohet me shenjën e shqiponjës dykrenore nga flamuri shqiptar.
Ky detaj është parë pastaj, pasi gjatë kohës kur emisioni ishte drejtpërdrejt, nuk ka pasur mundësi ndërhyrjeje.
Ditëve në vijim “shqiponja” nga sfondi i emisionit “Arena” është bërë temë debati në forume të ndryshme. Ka pasur debatues që këtë e kanë quajtur provokim dhe të tjerë që kanë thënë se bëhet fjalë për një veprim naiv ose të bërë nga monotonia e debatit.
Së fundi, qëndrimin e tij e ka dhënë edhe Avokati i Popullit Roger Blum. Ai, në një shkrim në blogun e tij e kritikon ashpër këtë veprim. Sipas tij, gjesti i të riut ishte “abuzim me mikpritjen që i ka ofruar televizioni dhe si i tillë, nuk përkon me emisionin”.
Sipas Blumit, ky rast tregon se në Zvicër ka njerëz që ose nuk e kuptojnë kulturën mbizotëruese politike të debatit ose e shpërfillin atë në mënyrë të vetëdijshme, transmeton “albinfo.ch”. Për këtë arsye ajo (kultura e debatit) duhet t’u mësohet në vazhdimësi, pavarësisht nëse është fjala për të rinj vendës ose të huaj”.
“Mendimi tjetër duhet të respektohet, të dëgjohet dhe të lejohet tjetri të shprehet dhe pastaj të vijë përgjigja me argument”, ka thënë Blum. Sipas tij, gjestet banale si nxjerrja e gjuhës ose ndonjë shenjë, apo simbol tjetër provokues nuk bëjnë pjesë në kulturën e debatit. “Kush nuk e ka kuptuar këtë, duhet ta mësojë”. /Albinfo.ch





