DURRËS, 12 shkurt 2014 –  Për Bernën kroatët dhe malazezët janë “burra më të mirë” se shqiptarët dhe kosovarët, ky qëndrim diskriminues u mbajt lidhur me armëmbajtjen me leje. Qeveria zvicerane bëri të ditur se hoqi ndalimin për armëmbajtje për shtetasit e Kroacisë dhe Malit të Zi, por duke e ruajtur për njerëz nga disa vende të tjera të Evropës juglindore, si dhe nga Algjeria dhe Sri Lanka, që jetojnë në konfederatë, bëri të ditur më 12 shkurt 2014 agjencia amerikane e lajmeve  Associated Press. Qeveria federale zvicerane tha të mërkurën se nuk ka kurrfarë pengesash për kroatët që të mbajnë armë, përderisa Kroacia ka hyrë në BE. Kurse Mali i Zi u privilegjua sepse po bën negociata më BE-në. Zvicra thotë se janë tre kriteret për përfshirjen e vendeve që nuk u lejohet armëmbajtja me leje: prania e shumë njerëzve në Zvicër nga vendet ku ka pasur luftëra apo konflikte, përleshjet në Zvicër në midis njerëzve nga këto vende dhe kontrabanda e armëve nga Zvicra në rajonet me konflikte. Prandaj qeveria helvete ka në “listën e saj të zezë” Shqipërinë, Algjerinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Serbinë, Sri Lanka dhe Turqinë; shtetasve me origjinë nga këto vende nuk u lejohet të mbajnë armë me leje. Privilegjimi i malazezëve me pretekstin se po negocion me BE-në, nuk është argument, pasi edhe Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Serbia po zhvillojnë bisedime me Brukselin. Me sa duket, shqiptarët dhe kosovarët u duhen qeveritarëve të Bernës vetëm për të mbrojtur dinjitetin e shtetit të tyre në futboll.

/përgatiti agjencia e lajmeve “Dyrrah”/