Sot, Zvicra merr Kryesinë e OSBE-së. Zvicra është vendi i parë që ka kryesuar OSBE-në tri herë, pas mandateve të mëparshme në vitet 1996 dhe 2014. Ky mandat është pjesë e angazhimit të saj të vijueshëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropë e më gjerë.
Për këtë Kryesi, Zvicra ka përcaktuar pesë përparësi: Parimet e Helsinkit – për paqe të qëndrueshme; diplomacinë shumëpalëshe gjithëpërfshirëse; paraprirjen e zhvillimeve teknologjike – për një të ardhme të sigurt dhe humane; demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut; si dhe aftësinë vepruese të OSBE-së.
“Në kushtet e luftës në Evropë, Zvicra është e përkushtuar ndaj një paqeje të drejtë në Ukrainë, të mbështetur në të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e Helsinkit”, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis, Kryetari i ri i Radhës i OSBE-së. “Ne do të përdorim përvojën tonë në ndërmjetësim për të promovuar dialogun, besimin dhe sigurinë”.
Zvicra synon të promovojë dialog gjithëpërfshirës me të gjitha 57 Shtetet pjesëmarrëse për çështjet e sigurisë. “Ne i qasemi Kryesisë tonë duke ditur se, pavarësisht tensioneve, OSBE-ja mbetet e domosdoshme. Do të punojmë me një bindje të thjeshtë: kur diplomacia duket e pamundur, ajo bëhet thelbësore”, theksoi ai.
“Konsensusi është themeli i organizatës sonë. Por ai kërkon, gjithashtu, përgjegjësi nga secili prej nesh”, kujtoi ministri Cassis shtatorin e kaluar përpara Këshillit të Përhershëm. “Sistemi politik i Zvicrës bazohet në dialog dhe në dëgjimin e të gjitha palëve. Ky është frymëzimi me të cilin do të kryesojmë OSBE-në” shtoi Cassis, Kreu i Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës.
Zvicra do të mbështesë operacionet në terren të OSBE-së dhe misionet e vëzhgimit të zgjedhjeve, duke siguruar që demokracia, shteti i së drejtës dhe të drejtat e njeriut të mbeten në qendër të sigurisë evropiane. Kryesia zvicerane do të përqendrohet veçanërisht në angazhimin e drejtpërdrejtë me shtetet dhe rajonet kyçe të OSBE-së. Këshilltari Federal Ignazio Cassis do të zhvillojë disa vizita në zona të ndryshme me përparësi të OSBE-së.
Si pjesë e axhendës së saj, Zvicra do të organizojë katër konferenca ndërkombëtare, si edhe Këshillin Ministror. Konferenca e parë do të mbahet më 9 dhe 10 shkurt në St. Gallen dhe do të fokusohet në luftimin e antisemitizmit dhe formave të tjera të jotolerancës. E dyta, më 7 dhe 8 maj në Gjenevë, do të shqyrtojë mënyrën se si përparimet shkencore dhe teknologjike po e transformojnë sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropë. Konferenca e tretë, më 3 dhe 4 shtator në Bernë, do të mbështetet në dokumente arkivore nga disa vende për të reflektuar mbi zhvillimin fillestar dhe arsyen e ekzistencës së pararendësit të OSBE-së. Konferenca e katërt, që do të mbahet më 29 dhe 30 shtator në Zug, do të përqendrohet në uljen e tensioneve në hapësirën kibernetike.
Me Kryesinë e saj, Zvicra ripohon rëndësinë e parimeve të Aktit Final të Helsinkit: “Ne nuk duhet thjesht ta festojmë Helsinkin, por ta përditësojmë atë. Dekalogu nuk është një trashëgimi simbolike: ai është një udhërrëfyes për veprim”, tha ministri Cassis, gjatë Këshillit të fundit Ministror, të mbajtur muajin e kaluar në Vjenë.





