19 nëntor 2015 – Të gjitha kombëtaret e kualifikuara për në “Francë 2016” janë në pritje të shortit të 12 dhjetorit në Paris, për të mësuar kundërshtarët e vet në grupe. 4 vazot me nga 6 skuadra janë bërë publike tashmë, ku Shqipëria figuron e parafundit, në vazon e fundit. Natyrisht, lojtarë e trajnerë që do të jenë në “Euro 2016”, kanë nisur të shpalosin edhe preferencat e tyre në lidhje me kundërshtarët, teksa spikat se Zvicra, gati në unison, kërkon kuqezinjtë e De Biazit, duke i konsideruar si më të lehtët e mundshëm.
Gazeta helvete, “Blick”, ka bërë të njëjtën pyetje për disa nga lojtarët e kombëtares zvicerane, e cila përbëhet edhe nga disa shqiptarë (Shaqiri, Behrami, T.Xhaka, Xhemaili, Kasami, Ahmedi), duke kërkuar të dijë se cilat skuadra finaliste do të preferonin në grup, si produkt i shortit të 12 dhjetorit. Fabian Schär, lojtar i kësaj kombëtareje, kërkon kuqezinjtë tanë, duke thënë se “Shqipëria do të jetë qesharake”.
Një paragjykim ofendues, ç’është e vërteta, duke ditur se kjo mund të shkaktojë njëfarë reaksioni te “pjesa e luanit” e kombëtares ku luan, e cila përbëhet nga shqiptarë. Gjithsesi, ky është mendimi i tij. Të tjerët, nga çfarëdo të sjellë shorti më 12 dhjetor, thonë se janë të lumtur.
Kështu, Fabian Schär, që e cituam më sipër, lojtar i Hoffenheim, pëlqen Gjermaninë, Republikën Çeke dhe Shqipërinë. “Të biem në një grup me Shqipërinë, do të jetë kënaqësi”, nënvizon ai. Michael Lang, lojtar i Bazelit, kërkon në grup Gjermaninë, Republikën Çeke dhe Shqipërinë. “Te Bazeli kam tre lojtarë të ekipit kombëtar shqiptar dhe dy të Republikës Çeke”, shton ai.Luca Zuffi, edhe ai pjesë e Bazelit, preferon Spanjën ose Portugalinë, Republikën Çeke dhe Uellsin. “Ne kemi dy çekë në ekip, plus uroj të ndeshemi me Uellsin e Gareth Bale”, sqaron futbollisti në fjalë.
Marwin Hitz, pjesë e Augsburgut, kërkon të sfidojë Gjermaninë, Hungarinë dhe Irlandën e Veriut. “Hungaria është shumë tërheqëse”, sqaron ai. Nga ana e tij, trajneri Vladimir Petkoviç, tregohet më i matur: “Unë nuk e di ende, kjo pyetje vjen shumë herët. Nga ajo që kam lexuar, kam kuptuar se për francezët, ne jemi kundërshtari më i lehtë nga vazoja 2…
/portali DurresLajm/