Mërgim Brahimi bëhet një tjetër futbollist që rrezikon t'i largohet Shqipërisë, duke shkaktuar një tjetër përplasje mes Federatës Shqiptare dhe asaj të Zvicrës. 

Talenti kosovar u ftua të mërkurën zyrtarisht nga përfaqësuesja U-21 e Shqipërisë për miqësoren me Maqedoninë më 6 shkurt, ndërsa dje, ai mori një ftesë zyrtare edhe nga përfaqësuesja U-21 e Zvicrës. 

Në të njëjtën ditë që Shqipëria do të ndeshet me maqedonasit, Zvicra do të përballet me Sllovakinë. Edhe pse ende nuk ka një prononcim zyrtar se me cilin ekip do të shkojë Brahimi, në Federatën Shqiptare të Futbollit dyshojnë që 20-vjeçari do të luajë për kombëtaren helvetike. 

Në të vërtetë, kjo nuk është hera e parë që futbollisti i Grasshoperit ftohet në të njëjtën kohë nga dy përfaqësuese të ndryshme. Ai, në tetor të vitit 2011 u thirr në të njëjtën kohë nga U-20 e Zvicrës dhe U-21 e Shqipërisë. Brahimi atë periudhë kishte pasaportë zvicerane dhe priste që të pajisej me pasaportë të Shqipërisë. 

Nga ajo kohë, ai është paraqitur rregullisht për kombëtaren Shpresa të Shqipërisë, ndërsa ka luajtur edhe një takim për kombëtaren A nën drejtimin e Xhani De Biazit. Në fakt, do të mjaftonte kjo që Brahimi të mos vishte më asnjë fanellë tjetër, por ai ka luajtur në ndeshjen miqësore kundër Iranit më 27 maj të vitit të kaluar, e cila zhvillohej në një datë që nuk njihej nga FIFA. Kjo i mundëson që nëse dëshiron, të zgjedhë të luajë në vazhdim për Zvicrën edhe pse me shpresat e Shqipërisë është paraqitur në ndeshje zyrtare. 

Në kohën kur luajti për Shqipërinë, Brahimi kishte pasaportë zvicerane dhe kjo sipas rregulloreve të FIFA-s i mundëson atij të zgjedhë për njërën prej këtyre dy shteteve deri në momentin kur të debutojë në kombëtaren A në ndeshje zyrtare. "Ne i kemi dërguar ftesë në klub Mërgim Brahimit, ashtu siç ua kemi dërguar ftesën zyrtare gjithë lojtarëve të tjerë të ftuar. 

Nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga ai, – u shpreh trajneri i kombëtares Shpresa të Shqipërisë, Skënder Gega. – Nuk mund të them asgjë lidhur me faktin që është ftuar edhe nga Zvicra. Nëse kjo është e vërtetë dhe ai luan për Zvicrën, atëherë vendimet i takojnë Federatës jo mua si trajner. Do të ishte mëkat nëse do të ndodhte kjo. Por disa lojtarë po luajnë me shumë topa. Jam lodhur me këto punë. Janë zgjedhje personale të lojtarëve. Unë jam munduar të afrojë sa më shumë kosovarë. Për ndeshjen e ardhshme shumica e të ftuarve janë nga Kosova", ka thënë më tej Gega. 

11 prej 19 lojtarëve të ftuar për ndeshje me Maqedoninë, duke llogaritur edhe Brahimin janë me prejardhje nga Kosova. Zvicra, po ashtu si Shqipëria, po përgatitet për ciklin eliminator të evropianit 2015. Për këtë arsye janë ftuar shumë lojtarë të rinj. Përveç Brahimit, Zvicra ka ftuar edhe Arlind Ajetin, Berat Gjimshitin, Pajtim Kasamin e Hekuran Kryeziun.