Në nivel qarku figurojnë të papunë 9000 persona

Në kushtet e një krize financiare dhe vështirësive të shumëllojshme me të cilat po përballen sektorë të ndryshëm të ekonomisë e industrisë, punësimi mbetet një faktor primar që garanton mirëqënien e familjeve shqiptare. Sipas statistikave të zyrës së punës në Durrës, këtë vit është rritur ndjeshëm numri i personave që i janë drejtuar kësaj zyre për të gjetur pune. Sipas drejtoreshës Dejana Burgia ky është një faktor pozitiv pasi shihet si ndërgjegjësim i qytetarëve për ta parë Zyrën e Punës në rolin e ndërmjetësit mes tyre dhe punëdhënësve. Megjithëse nuk ka shifra reale për numrin e të papunëve (pasi këtu nuk llogariten personat që nuk regjistruar pranë kësaj zyre) drejtoresha Burgia thotë se në total në qarkun tonë numërohen rreth 9.000 të papunë, ndërkohë që me ndërmjetësimin e kësaj zyre janë punësuar gjatë këtij viti në sektorin privat e atë shtetëror rreth 71.300 persona.  

Zonja Burgia, sa është numri i të papunëve të cilët janë paraqitur pranë kësaj zyre për të kërkuar punë?

Pyetje shumë e drejtë kjo e juaja, por ne nuk mund të dimë se sa persona janë të papunë në qarkun e Durrësit. Ne dimë se sa persona janë të papunë nisur nga numri që kemi të regjistruar pranë zyrës së punës. Numri i të papunëve ose më saktë i atyre që ende nuk kanë përfituar nga ndërmjetësimi që kemi bërë ne si zyrë pune arrin deri në 8.985 krah pune. Pra në regjistrin tonë ne kemi 6.100 persona të cilët kanë aplikuar për një vend pune pranë kësaj zyre, ndërsa 2.885 janë regjistruar në zyrën e punës në Krujë.

Çfarë shtrese i përkasin këta persona të cilët deri tani nuk kanë gjetur punë?

Ka nga kategoritë më të ndryshme. Në Qarkun e Durrësit janë 634 persona të cilët përfitojnë pagesë papunësie. Nga këta, 327 persona janë nga Durrësi dhe 307 prej tyre nga Kruja. Ndërsa përsa i përket përfitimit të ndihmës ekonomike, ky numër është akoma edhe më i madh. Në qarkun e Durrësit janë rregjistruar 2.181 persona, të cilët përfitojnë ndihmë ekonomike. Nga këta 1.304 janë nga Durrësi dhe 877 nga Kruja. Një numër shumë i madh personash të cilët janë regjistruar dhe nuk kanë mundur të gjejnë punë janë ata me arsim të lartë, kryefamiljarë dhe një pjesë e mirë janë femra. Sipas statistikave që kam përpara, kryefamiljarë të cilët janë regjistruar pranë zyrës tonë dhe aktualisht janë të papunë janë 2.847 persona.

Sa është niveli i papunësisë dhe sa forca të afta për punë ka në rang Qarku?

Në qarkun tonë persona të aftë për të punuar figurojnë të regjistruar rreth 80.211 mijë. Nga këta 59.491 janë në qytetin e Durrësit dhe 20.780 janë regjistruar si të aftë për punë në Krujë. Ndërsa shkalla e papunësisë arrin deri në 10.3% në Durrës dhe 13.9% në Krujë, kjo e fundit përqindjen e të papunësisë e ka më të lartë se Durrësi për shkak se këtu pronarët janë më të interesuar për të punësuar personel.

Nëse do të bënim një krahasim me një vit më parë. Ka patur një ulje të numrit të personave të papunë apo një rritje të tij?

Duke ju referuar statistikave, unë do të thoja diçka tjetër kemi një rritje të personave të ndërgjegjësuar, por kemi gjithashtu rritje në numrin e personave të punësuar. Them të ndërgjegjësuar për faktin që këtë vit në zyrën e punës është rritur ndjeshëm numri i personave, të cilët aplikojnë për një vend pune. Ndonëse flasim për vetëm dhjetë muajt e parë të këtij viti deri tani është bërë i mundur punësimi i 71.226 personave, ndërsa një vit më parë është bërë i mundur punësimi për 64.183 persona.