Janë zyra shtetërore ku qytetarët drejtohen për të marrë shërbime dhe për të adresuar kërkesat e tyre, por ajo çfarë ofrojnë janë ambiente plot lagështirë dhe të rrënuara.

Po flasim për zyrat e njësisë administrative nr.1 dhe të Gjendjes Civile, që kanë nën administrim disa nga lagjet kryesore të Durrësit.

Impakti i parë që ato përcjellin tek qytetarët është ai i degradimit, ndërsa për punonjësit janë kthyer në ambiente që gjenerojnë sëmundje.

“Vetë koha i ka degraduar këto ambiente, sepse bëhet fjalë për një ndërtesë të vjetër. Duke qenë se këto zyra janë nën administrimin e bashkisë mirë do të ishte që të krijoheshin kushte të mira, jo vetëm për ne që punojmë, por edhe për qytetarët, sepse ka lagështirë të tepërt. Unë për vete jam bërë me alergji këtu, dhe jo vetëm unë. Është shtuar fluksi edhe i shtetasve të huaj, që paraqiten pranë zyrave tona. Ata shprehin një lloj zhgënjimi nga ambientet, sidomos tek Gjendja Civile. Qytetarët realizojnë aktin e martesës, por nuk kanë ku krijojnë një ambient sado pak festiv”,- thotë për “DurrësLajm” kryetari i Njësisë Administrative nr.1, Roland Çobani.  

Qytetarët që i drejtohen Gjendjes Civile për të kurorëzuar dashurinë në martesë zhvillojnë ceremoninë e rastit mes hartave të lagështirës dhe suvasë së rënë, duke marrë me vete një kujtim të trishtë nga ambienti ku i thanë PO njeri-tjetrit.

Kryetari i njësisë Roland Çobani shpreson se rikonstruksioni i zyrave do të realizohet gjatë këtij viti.

“E kam bërë prezent në bashki problemin. Kam marrë premtimin nga kryetarja dhe besoj se këtë vit do të ndërhyhet. Shpresoj që me këtë ndërhyrje t’i japin qytetit, jo neve, pasi ne jemi punonjës, sot jemi nesër do ikim, por këto janë zyra që përfaqësojnë qytetin”.

M.B.