Nga Kiço Blushi

Jo pak shpresa e kureshtje pat ngjallur, (si ndodh zakonisht nëpër vendet e vogla me tranzicion të pafund), mirëseardhja e një zyrtari amerikan, zotit Jonathan Moor. U hamendësua tepër ndërkohë përse ky mysafir i nivelit të dytë të Departamentit amerikan të Shtetit do të vinte me aq ngut dhe, më pas, askush nuk e di me ç’mendje dhe me ç’dosje iku së këtejmi… Dikush nga analistët e spikatur, i ftuar nga ambasada amerikane në takimin me zyrtarin në fjalë, e shprehu hapur, si rrallëherë, zhgënjimin: Takimi dhe biseda “ishte një kohë e humbur”.

Edhe pse situata e KQZ-së është cilësuar nga të gjitha autoritetet e vendit dhe të huaja si e pazakontë, – që mundëson pak shpresë për zgjedhje të garantuara, demokratike e të ndershme, – z. Moor, i cili paraprakisht pat lënë përshtypjen shpresëmirë se po vinte në Tiranë enkas për të ndrequr këtë anomali, në fund të misionit u tregua “asnjanës”, duke u zotuar: Amerikanët nuk do të njëjtësoheshin me asnjë “palë”, as me pozitën dhe as me opozitën…. Dhe se Kolegji Zgjedhor, sipas tij, ishte i vetëmjaftueshëm për të dhënë zgjidhje, në rast se KQZ-ja, e katandisur kokoshi një thelë, me katër anëtarë të një krahu, nuk do të jepte dot vendime me konsensus…. Dhe se të dyja koalicionet antagoniste do të duhej të njihnin rezultatin, (fjala natyrisht është për opozitën) pa shkaktuar kundërshti e trazira… E përmbledhur, ky ishte kuptimi dhe nënkuptimi i kësaj vizite të shumëpritur.  

Ndërkohë, nuk kaluan as tri ditë pas largimit të zotërisë në fjalë dhe në aeroportin e Rinasit zbarkuan edhe 30 muxhahedinë të tjerë. Këta, sipas shtypit, janë pjesë e grupit prej 210 personash të pranuar nga qeveria shqiptare për t’u strehuar në Shqipëri. Bëhet gjithashtu me dije se pak ditë më parë Teherani pat paralajmëruar Tiranën se pranimi i 14 prej 210 anëtarëve të organizatës Mojahedin-e-Khalq, siç njihen ndryshe muxhahedinët e popullit iranian, do të kërcënojnë sigurinë kombëtare të vendit. Sipas agjencisë së lajmeve iraniane “Fars News”, Baqer Hossein Seyed, anëtar i Bordit Kryesues të Parlamentit iranian, paralajmëroi kësodore Tiranën:

“Qeveria e Shqipërisë duhet të shmangë përsëritjen e të njëjtit gabim që kanë bërë vendet e tjera në lidhje me pritjen e anëtarëve të MKO, sepse këta njerëz janë të rrezikshëm edhe për sigurinë kombëtare të atij vendi dhe gjithë rajonit”.

Pyetja, në këtë rast, buron natyrshëm: Mos vallë Berisha po e blen cenimin e zgjedhjeve, mbetjen e tij në pushtet, heshtjen e amerikanëve për autoritarizmin e tij arrogant me çmimin e shtrenjtë të 210 “muxhahedinëve të rrezikshëm iranianë që cenojnë sigurinë kombëtare”?! A nuk bëri të njëjtën gjë pasi erdhi në pushtet në vitin 2005, me ujgurët e Guantanamos? E po qe kështu, nuk do shumë mend për të kuptuar se kjo faturë (me më pak vlerë monetare sesa “politike”!) është ku e ku më e madhe e më e kushtueshme se fatura e parapaguar për “Podestën”!

***

Nuk është zbulim që shkakton ndonjë farë habie e çudie po të thuhet se qëndrimi “asnjanës” i zotit Moor ishte i krejtndryshëm nga ai i ambasadorit Arvizu, i cili u tregua i prerë, i saktë dhe i qartë teksa deklaroi, disa ditë para ardhjes së z.Moor, se në varësi të qëndrimit të qeverisë ndaj KQZ-së (zgjedhjeve) do të përcaktoheshin marrëdhëniet e mëtejshme me SHBA-në. Edhe pse z.Moor u detyrua t’i përgjigjej këtij dyshimi, duke thënë se nuk ka asnjë dallim e ndryshim mes dy qëndrimeve, se ambasadori Arvizu përcjell mesazhet e qeverisë amerikane, pohimi i tij i vakët në fakt përforcoi efektin e kundërt. Formula e thënë hapur prej tij se, edhe po të ndryshonte, po edhe mund të mos ndryshonte KQZ-ja, duke mos pasur asnjë theks diplomatik, është në favor të dyshimit të mësipërm.

E pra, ky tjetërsim qëndrimi ndaj situatës parazgjedhore dhe zullumeve të Berishës në Shqipëri u perceptua nga jo pak analistë dhe qytetarë të vëmendshëm si trysni lobimi e kompanisë “Podesta” mbi administratën amerikane. Disa madje e kaluan edhe cakun duke aluduar, sikur, me gjasë, brenda qeverisë amerikane, për çështjen e KQZ-së dhe posaçërisht të zgjedhjeve në Shqipëri janë ravijëzuar, medemek, dy qëndrime të ndryshme. Dhe sikur Berisha na qenka një “burrë shteti” aq i zoti, sa jo vetëm shqiptarët dhe opozitën, por edhe administratën amerikane e paska përçarë! Një pjesë e administratës, sipas këtij gjykimi, na qenka pro Berishës, tjetra në favor të Ramës, por më me ndikim qenka ajo e “Podestës”! Afërmendsh, kjo pandehmë është e pamundur dhe absurde për një shtet të madh e serioz si SHBA. Po si shpjegohet atëherë kjo luhatje e mëdyshtë?

Cilado qoftë arsyeja e vërtetë e “asnjanësisë” së habitshme e të papandehur amerikane: “Podesta”, pranimi i muxhahedinëve, apo n’dac edhe interesi global amerikan për stabilitet në rajon, interes që lejoka mbylljen e syve e të veshëve kur cenohet standardi demokratik dhe zgjedhjet e lira e të ndershme, fakt është që shqiptarët, duke qenë populli më pro-amerikan në Ballkan dhe në Evropë, më shumë sesa për një Plan Marshall ekonomik të SHBA-ve, kanë shpresuar dhe vazhdojnë të kërkojnë nga SHBA-të mbrojtjen e standardit të demokracisë e të lirisë, ngaqë e kanë vlerësuar këtë shtet si modelin botëror të demokracisë dhe lirive njerëzore.

Ky besim ka ardhur për shkak se SHBA-të kanë dëshmuar historikisht përkrahje pa kushte për çështjen shqiptare, por edhe pse mungesën dhe deformimin e lirisë dhe të standardit demokratik ne si popull e kemi vuajtur e paguar shtrenjtë në shekuj, aq sa edhe imazhin e ‘Statujës së Lirisë’, shqiptarët, pavarësisht nga përkatësitë e dasitë e tyre politike, fetare e krahinore, përherë e kanë parë si avokatin simbol, të pangurtësuar, të gjallë, aktiv e të palëkundur. Një popull i vogël, i vuajtur dhe i varfër, ashtu si një emigrant pa përkrahje, i mbetur në udhëkryq, ka të drejtë natyrale të kërkojë dikë që ta pyesë se cilën udhë do të duhet të zgjedhë për të dalë në dritë e në udhë të mbarë… Ky detyrim moral, për t’i dhënë njeriut apo një populli në nevojë një përgjigje të saktë, nuk mund të quhet, as politikisht dhe as fetarisht, një “ndërhyrje në punët e brendshme”.  

Në këtë kuptim, askush nuk ka të drejtë të dëmtojë e cungojë proamerikanizmin e shqiptarëve, qofshin këta edhe zyrtarë të administratës amerikane, të ndikuar nga “Podesta”, nga nevoja për strehim të ca muxhahedinëve, apo pas dhënies së honorarëve Tom Rixhit (a ka lidhje ky me Podestën?) si dhe e tenderit disa miliardësh për Behtelin… Vetëm një Wikiliks mund të zbulojë nesër se cili ka pas qenë shkaku i vërtetë i kësaj mefshtësie e ngathtësie të pashpjegueshme ndaj regjimit autoritar dhe antidemokratik të Berishës. Por edhe nëse nesër do të dalë e vërteta se kush ka pas ndikuar realisht, sigurisht që kjo nuk do të ketë pikë rëndësie, pasi do të jetë tepër vonë… Sepse sot për sot ne kemi nevojë urgjente, më shumë se kurrë, për një arbitër ndërkombëtar, tek i cili kemi më tepër besim se te askush tjetër, madje edhe se tek Brukseli.

Ndaj do të jetë mëkat e një dëm i pafalshëm, edhe për interesat strategjike të SHBA-ve, nëse në këtë vend të vogël të Ballkanit do të mbijë, për arsye të mosarsyes, fara e antiamerikanizmit.

http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=133817