Nga janari, qytetarët e Durrësit do të paguajnë 20 për qind më tepër për ujin e pijshëm. Vendimin e mori sot Këshilli Bashkiak, duke votuar me shumicë rritjen e tarifës së ujit.
Me debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës u shoqërua diskutimi dhe procesi i votimit, aq sa kryebashkiaku Vangjush Dako e la sallën në mënyrë demonstrative. Nga ana e këshilltarëve të LSI-së, e cila shtyu vendimin nga mbledhja e kaluar, u tha se kjo rritje bëhet për të ardhmen e ndërmarrjes.
“Ndërmarrja e ujësjellësit aktualisht pëson 70 për qind të humbjeve në rrjet dhe 30 për qind është pagesa që arkëtohet. Na vjen keq për këtë rëndesë që i bëhet qytetarëve, por kjo do t’i shërbejë ndërmarrjes së ujësjellësit për të rritur performancën në të ardhmen dhe në investime”, u shprehën këshilltarët e LSI-së.
Ishin të djathtët që reaguan ashpër. “Jemi kundër rritjes së çmimit të ujit. Qeveria premtoi se do të kompensohej prej saj kjo rritje dhe jo në kurriz të qytetarëve”, tha Armand Teliti.
Në fund, u votua me 29 vota pro dhe 12 kundër rritja e çmimit të ujit.





