Antonio Conte ka konfirmuar se do të largohet si trajner i kombëtares italiane pas Euro 2016. Të gjithë gjasat janë që ish trajneri i Juventus do të marrë drejtimin e Chelsea duke filluar nga sezoni tjetër pas një sërë bisedimesh me ekipin e Stamford Bridge.
Conte vijoi me një deklaratë të shkurtër pas asaj të presidentit të ‘Federatës Italiane të Futbollit’ Carlo Tavecchio nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook duke konfirmuar ndarjen me ‘Azzurri’. 46 vjeçari këmbëngul që mbetet plotësisht i fokusuar tek turneu i verës në Francë pas eliminimit të Italisë në fazën e grupeve gjatë ‘Botërorit 2014’.
“Momentalisht jemi të fokusuar totalisht tek kampionati europian ku do të mundohemi të tregojmë potencialin tonë të plotë. Kush më njeh e di që angazhimi im do të jetë i plotë. Pas kësaj, ndjej që duhet të kthehem të drejtoj një klub ku stërvitja ndodh përditë.”
Deklarata e Conte mendohet ti hapë rrugën Chelsea për të bërë lëvizjen e saj për 46 vjeçarin, teksa klubi i Premier League është në kërkim të një zëvendësuesi afatgjatë të Jose Mourinho që nga largimi i tij në dhjetor. Guus Hiddink ka marrë përkohësisht drejtimin në Stamford Bridge që prej largimit të portugezit, duke fituar 8 nga 18 ndeshje dhe aktualisht gjenden të eliminuar nga çdo kompeticion teksa lëngojnë në mes të tabelës së klasifikimeve.