4dhjetor 2015 – Prokuroria e Tiranës deklaron se në grabitjen e një dite më parë në autostradë dyshohet të jenë rrëmbyer shuma prej 3,8 milionë eurove.
Ndërkohë, janë marrë në pyetje gjashtë policët privatë të cilët po shoqëronin shumën e konsiderueshme për në Rinas, ku edhe ishte parashikuar që të transferoheshin për në Austri, thonë burimet.
Grupi i hetimit pohon për Top Channel se pesë persona të paidentifikuar ende, pranë rrugës së Kasharit, kanë tentuar të improvizojnë një aksident me një mjet tip fuoristradë, duke detyruar mjetet e blinduara që të ndalojnë.
Mjetet e blinduara ishin duke transportuar shumën prej 3.8 milionë eurosh. Në deklaratat e policëve privatë Agron Sharra, Agron Lloha, Artan Mane, Eduart Metollari, Niko Prifti dhe Alban Sharra shpjegohet se grabitësit e armatosur kanë thyer xhamat e mjetit të blinduar, duke i zbritur më pas ata në tokë. Sipas rrëfimit të policëve tashmë të arrestuar, grabitësit kanë marrë shumën e konsiderueshme dhe janë larguar me mjetin e tyre, i cili u gjet i djegur.
Por, prokurorët i shohin të dyshimta këto deklarata e për këtë arsye grupi i hetimit po kryen edhe verifikime të tjera shtesë.
/portali DurrësLajm/