Rubin Hebaj mbyll aventurën te Teuta pjesë e së cilës ishte prej janarit të vitit 2022 teksa iu bashkua durrsakëve nga Shkëndija e Tetovës. Sulmuesi shkodran nëpërmjet një lajmërimi në rrjetet sociale bën të ditur se ndërpret bashkëpunimin me durrsakët teksa tashmë është i lirë të zgjedhë një tjetër destinacion për të vijuar karrierën.
24-vjeçari është aktivizuar me “Djemtë e Detit” në 15 ndeshje të këtij sezoni në Abissnet Superiore (1143 minuta) teksa ka gjetur edhe njëherë rrugën e rrjetës.
Sakaq, në njoftimin e tij, Hebaj nuk harron edhe t’i urojë suksese tashmë ish-skuadrës së tij, Teutës, që në këtë sezon është në një pozicion shumë të vështirë teksa renditet e fundit në tabelën e klasifikimit dhe diskuton qëndrimin në elitë.