Mungonte vetëm zyrtarizimi por tashmë edhe ai ka ardhur. Superclasico i kthimit në Copa Libertadores do të luhet në Europë dhe më konretisht në Spanjë. Konfederata e Futbollit në Amerikën e Jugut CONMEBOL ka arritur marrëveshjen me Federatën Spanjolle të Futbollit dhe me drejtuesit e klubit të Realit të Madridit që mitiku Santiago Bernabeu të presë finalen e kthimit mes River Plate dhe Boca Juniors, aty ku do të vendoset edhe fati i trofeut.
Ndeshja e parë në Bombonera në fushën e Bocës përfundoi në barazim 2-2 ndërsa ajo e kthimit në El Monumental në program të shtunën e kaluar u shty për shkak të sulmeve me sende të forta dhe gaz lotsjellës të tifozëve të Millionarios ndaj autobuzit të Bocës gjatë rrugës që futbollistët po mbrrinin në stadium.
Është përcaktuar edhe data por edhe ora e kësaj finaleje të kthimit aty ku River Plate do të luajë si skuadër vendase dhe do t’i mjaftonte edhe një barazim 0-0 ose 1-1 për të ngritur lart trofeun e Copa Libertadores. El Clasico i kthimit do të luhet të dielën e 9 dhjetorit në orën 20:30 në Santiago Bernabeu.
Përsa i përket ngjarjeve të shëmtuara që ndodhën para disa ditësh klubi i River Plate u dënua me zhvillimin e 2 ndeshjeve pa tifozë në stadiumin e tij në kompeticionet ndërkombëtare në Amerikën e Jugut si dhe me 400 mijë euro gjobë ndërkohë që nuk u pranua kërkesa e drejtuesve të Boca Juniors për ta fituar ndeshjen në tavolinë.
Meqë policia e Buenos Airesit e kishte të pamundur të ruante sigurinë në një sfidë të tillë, CONMEBOL mori vendimin për ta zhvendosur në Europë këtë përballje të jashtëzakonshme dhe ndoshta më të rivalizuarën në të gjithë historinë e futbollit, me Madridin që i hapi dyert këtij dueli epik.





