Zëvendësndihmës sekretari i Shtetit Amerikan për Evropën dhe Azinë, Hoyt Brian Yee, vjen sot në Tiranë rreth orës 10:00 dhe do të takohet me krerët politikë, kryeministrin Edi Rama, liderin e opozitës, Lulzim Basha dhe me kreun e Kuvendit, njëherësh edhe Presidentin e ardhshëm, Ilir Meta, në kuadër të një turi në vendet e rajonit (Maqedoni, Kosovë e Mali i Zi).
Gjatë fjalës së tij në forumin rajonal për siguri “2BS” në Budva të Malit të Zi, zyrtari i lartë amerikan tha se Qeveritë në rajonin e Ballkanit duhet të luftojnë kundër korrupsionit dhe udhëheqësit e rajonit duhet të gjejnë kurajën politike, për të bërë reformat e nevojshme në interes të qytetarëve.
“Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe të mbrojnë interesat e qytetarëve. Deputetët nuk mund të heqin përgjegjësinë që kanë duke bojkotuar parlamentin”, tha zyrtari i lartë amerikan ndërsa kujtoi këshillën e ish-presidentit amerikan Rusvelt “se është më mirë të jesh një lider i guximshëm në arenë sesa një kritik apo vëzhgues nga jashtë”.





