Richard Nephew, Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global i qeverisë Amerikane, ka zhvilluar një vizitë në Tiranë për të riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformat në drejtësi, përpjekjet kundër korrupsionit dhe qeverisjen e mirë.

Një takim pasditen e sotme dhe me kreun e SPAK, Altin Dumani dhe prokurorë të SPAK dhe përfaqësues të institucioneve të tjera të drejtësisë.

Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global Richard Nephew pa sot në veprim institucionet gjyqësore shqiptare gjatë takimeve me kreun e SPAK, Altin Dumani, prokurorët e SPAK, si dhe përfaqësues të Ministrisë Anti-Korrupsion, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe Agjencisë së Prokurimit Publik. Nephew dhe zyrtarët shqiptarë diskutuan përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin institucionet e drejtësisë që po forcojnë demokracinë e Shqipërisë teksa ajo përparon në rrugën e saj drejt BE-së.

Më herët Nephew pati një takim me përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias shqiptare për të dëgjuar mbi pikëpamjet e tyre për luftën kundër korrupsionit dhe çuarjen përpara të transparencës në qeverisje.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në shkallë globale, përfshirë duke mbështetur organizatat që luajnë një rol të rëndësishëm mbikëqyrës” ka thënë  Nepheë në takim, informon ambasada amerikane.

Nephew është pritur nga i dërguari i SHBA në vendin tonë, David Wisner.

Në një postim të ndarë në rrjetet sociale, ambasada shkruan se vizita e të dërguarit të sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken riafirmon mbështetjen SHBA në luftën kundër korrupsionit dhe reformat në drejtësi.

“Sot ne mirëpresim Richard Nepheë, Koordinator i Departamentit të Shtetit të SHBA për Kundër Korrupsionit Global. Nepheë po viziton Shqipërinë për të riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformat në drejtësi, përpjekjet kundër korrupsionit dhe qeverisjen e mirë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ai do të takohet me drejtues të drejtësisë dhe shoqërisë civile shqiptare, si dhe me zyrtarë publikë”, shkruan ambasada e SHBA.