TIRANE, 28 maj 2013– Jonathan Moore, Drejtori për Europën Qëndrore dhe jugore në Departamentin e Shtetit ka nisur që sot në mëngjes takimet në Tiranë. Zyrtari i lartë amerikan ka nisur në selinë rozë një takim me kreun e PS-së Edi Rama. Në këtë takim Moor shoqërohej nga ambasadori i SHBA-ve Aleksandër Arvizu. 

Në pëfundim të takimit ai ka deklaruar se pritet të përmbyllë vizitën e tij nesër pasdite dhe se do të ketë takime me krerët më të lartë të shtetit. Moor tha se pas Ramës do takohet me kryeministrin Berisha e kreun e LSI-së, Ilir Meta.

“Ky ishte takimi im i parë në kuadër të vizitës dhe do të kem takime të tjera sot dhe nesër. Pata kënaqësinë të takoj zotin Rama, dhe do të takohem edhe me kryeministrin Berisha dhe zotin Meta. Dhe në fund të vizitës, nesër pasdite do të kem më shumë për të thënë. Ky është vetëm fillimi i vizitës,” tha Moore. 

I pyetur nëse shpresonte në një marrëveshje për KQZ, Moore tha:

“Sigurisht që ne do të na pëlqente të shikonim, siç e kemi thënë shpesh dhe siç e ka bërë të qartë edhe ambasadori ynë këtu Alexandër Arvizu, dhe të sigurohemi që shqiptarët të kenë besim te proçesi dhe institucionet zgjedhore dhe tek rezultati i zgjedhjeve të 23 Qershorit, që janë shumë afër. Por më shumë do të flas në fund të vizitës sime,” tha zyrtari i DASH.