Zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Pete Marocco, po qëndron në Kosovë, në kuadër të një vizite në rajon.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me zotin Marocco, tha në një postim në rrjetin social Facebook se Kosova është e angazhuar për fqinjësi të mirë dhe paqe të qëndrueshme në rajon.
“Zëvendës ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështje të Qëndrueshmërisë dhe Sigurisë, Pete Marocco, e informova për veprimet që ka ndërmarrë qeveria për parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çon në terrorizëm, dhe në këtë aspekt ne qëndrojmë të pa luhatur përkrah aleatëve tanë”.
Sipas kryeministrit Haradinaj, anëtarësimi i Kosovës në Interpol do të ndihmonte në luftimin e krimit ndërkombëtar. “Në këtë drejtim, përkrahja e shteteve mike, veçanërisht e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendin tonë, është e domosdoshme, në funksion të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”,thuhet në postimin e kryeministrit Haradinaj.
Zoti Marocco, po diskuton me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, nismat rajonale për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm, përpjekjet për të forcuar dialogun ndërfetar dhe mbështetjen për anëtarësimin e rajonit në Bashkimin Evropian./VOA