Rusia ruan të drejtën për të përdorur armë bërthamore në rast se përballet me një sulm nga vendet perëndimore, deklaroi sot Sergei Shoigu, zyrtari më i lartë i sigurisë në Moskë, në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS.

Deklaratat e Shoigut vijnë ndërkohë që presidenti amerikan Donald Trump dhe nënpresidenti J.D. Vance paralajmëruan se Uashingtoni mund të tërhiqet nga përpjekjet për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Ukrainë nëse nuk ka përparim së shpejti drejt një marrëveshjeje.

Shoigu, i cili për më shumë se një dekadë ka qenë ministër i Mbrojtjes së Rusisë, tani mban postin e kryetarit të Këshillit të Sigurisë në një riorganizim qeveritar që u bë vitin e kaluar. Ai iu referua ndryshimeve në doktrinën bërthamore të Moskës, të miratuara nga presidenti Vladimir Putin në nëntor të vitit të kaluar.

Sipas kushteve të reja, Rusia mund të shqyrtojë përdorimin e një goditjeje bërthamore si përgjigje ndaj një sulmi konvencional kundër Rusisë ose Bjellorusisë (aleatit të saj), nëse ky sulm përbën një kërcënim thelbësor ndaj sovranitetit dhe (ose) integritetit territorial të tyre.

“…në rast se shtete të huaja ndërmarrin veprime jomiqësore që paraqesin kërcënim ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Federatës Ruse, vendi ynë e konsideron të ligjshme përdorimin e masave simetrike dhe asimetrike që janë të nevojshme për të ndaluar veprimet e mëtejshme dhe për të parandaluar përsëritjen e tyre,” deklaroi Shoigu.