Ndihmëssekretari i Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, Thomas Goffus, i tha kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, se vendimi për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të merret “përmes dialogut dhe në bashkërendim” me bashkësinë ndërkombëtare, njoftoi NATO-ja të martën vonë.
NATO-ja njoftoi në uebsajtin e vet se Goffus, së bashku me komandantin për operacione civile të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së, Stefano Tomat, pati takime të ndara me Bislimin dhe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, në margjinat e rundit të ri të bisedimeve mes dy vendeve të martën në Bruksel.
“Ndihmëssekretari i Përgjithshëm për Operacione bisedoi për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe shpalosi shqetësimet e sigurisë në rast të hapjes së mundshme për trafik të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e NATO-s.
Goffus theksoi nevojën për një “zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate”.
“Ai nënvizoi se vendimet duhet të merren përmes dialogut dhe në kohë të duhur e në bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare, si dhe në një mënyrë që nuk e vë në rrezik komunitetin lokal apo trupat e NATO-s”, thuhet në njoftim.
Ai tha se KFOR-i ka prani mbi urë dhe po vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përrreth.
Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, pasi ajo është e hapur vetëm për këmbësorë.
Hapja e urës – e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe – u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara, BE-ja, por edhe nga vetë misioni i aleancës ushtarake, KFOR, të cilët thanë se ajo nuk duhet të hapet “në këtë kohë”.
Serbët lokalë protestuan kundër hapjes së urës gjithashtu.
Prej atëherë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij është duke i vazhduar konsultimet dhe diskutimet me aleatët në lidhje me hapjen e urës.
Goffus ishte për një vizitë në Prishtinë në fund të gushtit, ku u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli dhe tha se shtimi i trupave të KFOR-it nuk ishte zgjidhja.
Ndërkohë, Bislimi dhe Petkoviq zhvilluan nga dy herë bisedime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili nuk arriti t’i bindë ata për një takim trepalësh me të martën në Bruksel.
Ata e akuzuan njëri-tjetrit për dështimin e takimit trepalësh. Bislimi tha se Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.
Por, Petkoviq e akuzoi Bislimin se nuk pranoi trepalësh për shkak të insistimit të palës serbe në tema si, Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Bislimi tha pas takimit se me Lajçakun kishte biseduar edhe për çështjen e urës, por nuk përmendi se kishte takim edhe me zyrtarin e lartë të NATO-s.
Ai tha se u pajtua me Lajçakun që Kosova dhe Brukseli të diskutojnë në të ardhmen edhe për mënyrën se si të veprohet me hapjen e urës mbi lumin Ibër, pa dhënë më shumë hollësi./ REL