Një zyrtare e Ministrisë shqiptare të Mjedisit u dëbua nga Zvicra pasi një gjykatë e vendit e shpalli fajtore për një vjedhje në supermarket.
Mediat vendase shkruajnë se prezenca e këtij personi, është e padëshiruar në Zvicër, por nuk e bëjnë publik identitetin e saj.
Po sipas këtyre medieve, gjatë një konference ndërkombëtare në Gjenevë në vitin 2015, zyrtarja kishte shkuar në një supermarket. Ajo kishte vendosur disa artikuj në çantën e saj duke iu fshehur syrit të sigurisë dhe u largua nga qendra komerciale pa paguar vlerën prej 1667 frangash. Kur është kapur nga policia, ajo ka deklaruar se kishte si qëllim t’i bënte një dhuratë një miku.
Mediat shkruajnë se ajo u dënua me 30 gjoba në ditë me nga 30 franga. Një vendim i tillë nuk është kundërshtuar nga zyrtarja. Ndërsa sekretariati shtetëror për emigrantët vendosi që zyrtares t’i ndalohet të hyjë në Zvicër por edhe në zonën Shengen për 3 vite.
Zyrtarja nuk e ka mohuar se një vendim i tillë do të ndikojë në karrierën e mëtejshme. Thuhet se ajo është diplomuar për inxhinieri.





