Nga Gezim Kabashi
Shkrimtari Stefan Çapaliku ka publikuar ditët e fundit monografinë dygjuhëshe “Renzo Collura, një artist i humbur në Shqipëri – un artista disperso in Albania”. Në faqet e librit mbizotëron trishtimi për jetën e artistit të huaj që nuk e ka në dorë fatin e tij, e thuajse në të njejtën situatë gjen edhe kolegët e tij, artistë shqiptarë në Shkodër e në Durrës, të cilet e ndihmojnë me gjithë zemër.
Autori i veprës riprodhon disa nga veprat, kryesisht portrete, të punuara nga Collura, gjatë kohës së qëndrimit në Shkodër. Më tej kur ai vjen në Durrës, në pritje të riatdhesimit drejt Italisë, piktori aktivizohet si piktor në trupën amatore të qytetit, ku ritakon bashkëskenografin Marjan Skanjeti, si dhe mikun durrsak, Ismail Hidri, i cili do të bëhej më vonë skenografi i parë i teatrit profesionist në Durrës.
Çapaliku i njohur më së shumti si dramaturg dhe regjisor ka sjellë në faqet e librit rrugëtimin e një piktori italian, i cili mbërrin në fillim të luftës së dytë botërore si ushtar, nga vendlindja e tij, Palermo, në frontin e luftës italo-greke. Nga jugu i vendit tonë, që u kthye në teatër lufte e deri në Athinë, Renzo Collura, përfundon më vonë në Shkodër.
Një monografi ku gjallojnë personazhe të shquar të jetës religjioze dhe artistike në të dy qytetet e vendit.
E mes tyre, edhe Bernardina Qerraxhia, mësuesja e njohur, e cila në vitin 1944 jetonte në Shkodër. Çapaliku e vizaton me shumë dashuri dhe respekt figurën e zysh Benit, si pjesëmarrëse në kampionatin e parë të çiklizmit, trajnere volejbolli, gazetare e kronikave të futbollit, aktore, mësuese e gjuhës angleze dhe gjyqtare e sporteve të boksit dhe mundjes në vendin tonë.
Zysh Beni bëhet muza frymëzuese e Renzo Collurës, i cili i kushton disa tablo. Personaliteti i njohur Bernardina Qerraxhia, emrin e së cilës mban aktualisht shkolla e mesme e fiskulturës në Durrës nuk u martua asnjëherë dhe më 25 maj 1994 u përcoll në banesën e fundit me “një dashuri të jashtëzakonshme nga gjithë qytetarët durrsakë”.
Falë punës kërkimore të shkrimtarit Stefan Çapaliku disa nga tablotë që kanë në qendër zysh Benin janë gjetur dhe njera prej tyre vjen si kopertina e monografisë shumë interesante për artistin nga Palermo, Renzo Collura, i cili u kthye në vendin e tij në verën e vitit 1947, pa e harruar asnjëherë Shqipërinë ku kaloi disa vite.