Prona e biznesmenit Libanezo – Amerikan Faadi Mitri në gjirin e Lalzit është sulmuar gjatë ditës së djeshme nga rreth 40 persona, që kërcënuan rojet private.

Një ditë më parë rreth 40 persona të ndryshëm, dhe një topograf  kanë prishur rrethimin e pronës ku Faadi Mitri investitori I cili u rrah dhe u kërcënua brutalisht me jetë në shtator të 2016, mori leje për të ndërtuar një resort turistik me vlerë 180 milionë euro. Personat që mësynë një ditë më parë kanë ndërtuar një gardh të ri, duke mos lejuar as policinë private që kishte detyrë ruajtjen e objektit të afrohej.   

Faadi Mitri është edhe administrator i kompanisë nga i njëjti vend, “Omnix Albania”, e cila do të ndërtojë një resort gjigant me vlerë 180 milionë euro në Gjirin e Lalzit. Edhe sulmi ndaj tij dyshohet paraprakisht se ka lidhje pikërisht me këtë investim që do të kryhet.

 Faadi Mitri u largua nga Shqipëria dhe kjo shkaktoi debat të madh në vendin tonë se si një investitor potencial u rrah brutalisht dhe u kërcënua me jetë. Çështja mbeti në deklaratën e ish-ministrit të drejtësisë Ylli Manjani, që prona është në sekuestro preventive për t'u hetuar si çështje së bashku me hetimin ndaj gjyqtares dhe vendimit të saj për njohjen e pronës.

Gjatë kësaj kohe ne kemi kërkuar në Hipotekën e Durrësit, kartelë pasurie për atë parcelë dhe përgjigjja ka qënë që është nën sekuestro, raporton DurrësLajm.

Kompania nuk ka asnjë njoftim shtetëror zyrtar as se çfarë u bë me hetimin që ngriti Manjani dhe as si pala e interesuar me kontratën që kemi me shtetin. Mbi atë sipërfaqe toke gjenden dy dokumenta zyrtare që janë firmosur nga ish-zvkryeministri, Niko Peleshi.

1. Leja e ndërtimit të projektit.

2. Kalimi i asaj siperfaqeje me VKM tek Ministria e Turizmit për ndërtimin e resortit.

Pavarësisht kësaj, "edhe nëse atij personi i ka kaluar pronësia me ndershmëri apo jo, shteti nuk denjon as të na njoftojë dhe as të mbajë përgjegjësi për firmosjen që ka bërë vetë mbi atë tokë", pohuan nga kompania "Omnix Albania".

Përfaqësuesit e kopanisë pohojnë se "dje kur u njoftua policia për sulmin e 40 personave që duke kërcënuar rojat po ngrinin gardhin e tyre, deklarata e policisë Manzë ishte që ne nuk i pengojmë dot pasi ata janë të pajisur me certifikatë pronësie dhe leje për ndërtim gardhi të firmosur nga krybashkiaku i Durrësit Z.Vangjush Dako, i cili kishte dërguar këta vandalet edhe një polic bashkiak dhe një topograf. Ata nuk lejojnë që të afrohet askush nga ana e kompanisë, qoftë edhe policia e sigurisë dhe ruajtjes fizike".