Kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj dhe 11 zyrtarët e tjerë të arrestuar për abuzime me pronat kanë dalë sot para gjykatës për rivlerësimin e masës së sigurisë. Para nisjes së seancës, forca të shumta policie kanë rrethuar gjykatën, në kuadër të marrjes së masave të sigurisë.

Frrokaj dhe zyrtarët e tjerë që u arrestuan të premten me masë sigurie “arrest me burg” kanë mbërritur në gjykatë mëngjesin e kësaj të hëne për t’u njohur me rivlerësimin e masës, ndërkohë që 11 zyrtarë të tjerë janë ende në kërkim.

Fran Frrokaj dhe zyrtarët e arrestuar, sikurse edhe 11 personat e tjerë në kërkim, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke abuzuar me detyrën kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, te vendi i quajtur “Rana e Hedhun”.