Mbrëmjen e së martës, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu mori pjesë në analizën vjetore të policisë së Durrësit.

Në komunikimin me mediet, kryefjala e ministrit Xhafaj ishte lufta e pandërprerë ndaj krimit të organizuar, goditja e bandave kriminale dhe parandalimi i trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt vendeve fqinjë.

Durrësi ka qenë gjithnjë një vatër e nxehtë përsa i përket ngjarjeve kriminale dhe është fakt se në qytetin bregdetar kanë operuar dhe operojnë ende banda kriminale.

Ky fakt u pranua edhe nga Ministri Xhafaj, i cili deklaroi “ne jemi të fokusuar te lufta kundër grupeve kriminale. Edhe këtu në qytetin e Durrësit nuk është ndonjë gjë e panjohur, fakti që në qytetin e Durrësit dhe në territorin e Krujës dhe Fushë Krujës ka disa grupe kriminale të cilat paraqesin rrezikshmëri shoqërore. Janë të skeduar dhe po punohet nga ana e policisë në bashkëpunim me prokurorinë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese për t’i vendosur shumë shpejt përpara përgjegjësisë ligjore dhe besoj që shumë shpejt në këtë aspekt do të keni raste të shihni rezultate konkrete”.

Dy muaj më parë, ambasadori Lu deklaroi se në Shqipëri operojnë 40 grupe kriminale. I pyetur nga gazetarët, nëse institucioni që ai drejton ka një numër të saktë të grupeve kriminale që operojnë në Durrës, Ministri Xhafaj nuk preferoi të japë shifra duke nënvizuar se ato janë çështje të sekretit hetimor.

“Kjo është një çështje profesionale dhe ministri nuk merret me këtë gjë. Besoj se nuk do ta merrni këtë përgjigje as nga Drejtori i Përgjithshëm, as nga Drejtori Vendor, sepse janë çështje të sekretit hetimor dhe meqenëse jam këtu, edhe ju duhet të kontribuoni për ruajtjen e sekretit hetimor”,– tha Xhafaj.

Ndërkohë, drejtori Veliu duke u ndalur në rëndësinë që ka porti i Durrësit si një nyje mjaft e rëndësishme e transportit të udhëtarëve dhe mallrave, nënvizoi se vëmendja e strukturave policore është e fokusuar “në drejtim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe të mallrave, por kjo krahas interesit të lëvizjes së lirë të mallrave dhe qytetarëve nuk do të thotë që ne duhet të neglizhojmë kontrollin e të gjithë personave me qëllim parandalimin e trafikut të narkotikëve apo edhe të trafikut të qenieve njerëzore”.

Deklarata e plotë e Xhafajt dhe Veliut:

Ministri Xhafaj: Mora pjesë në analizën vjetore të Drejtorisë Vendore të Policisë së Durrësit. Ishte një analizë e mirë, e dobishme. Diskutuam gjëra që janë me interes për çështjet e kriminalitetit në qarkun e Durrësit, në mënyrë të veçantë për luftën kundër krimit të organizuar. Drejtoria Vendore e Durrësit ka bërë progres në punën e saj, por nga ana tjetër konstatuam që ka dhe disa probleme të cilat meritojnë më shumë vëmendje nga Strukturat Vendore të Policisë së Qarkut të Durrësit.

Të pranishëm në këtë analizë ishin edhe dy drejtuesit e prokurorive të Durrësit dhe të Krujës. Mendoj se është një gjë shumë pozitive kjo marrëdhënie e re që kemi krijuar dhe jemi duke ndërtuar me institucionin e Prokurorisë. Besoj se kjo do të jetë një arsye më shumë për të pasur më shumë sukses në luftën kundër krimit të organizuar dhe grupeve kriminale edhe në këtë qark si në të gjithë territorin e vendit.

Gjatë vitit të kaluar Drejtoria Vendore e Durrësit ka pasur disa goditje të drejtpërdrejta ndaj grupeve kriminale në këtë qytet edhe në qytetin e Krujës, por përsëri mbetet shumë për të bërë. Ne besojmë fort që edhe në kuadrin e operacionit "Forca e Ligjit" mund të kemi më shumë sukses në këtë territor.

Pyetje: Z. Ministër a jeni vënë në dijeni për problematikën e madhe që ka ngritur Autoriteti Portual i Durrësit në lidhje me radhën e gjatë, – nuk e di sa e vutë re ju, – të kamionëve që hyjnë në port. Të gjithë duhet të kontrollohen në doganë duke u bërë shkak për nisjen e vonesave të  trageteve, kosto për biznesin e përkthyer kjo. Ju jeni vënë në dijeni për këtë?

Ministri Xhafaj: Sigurisht që po. Edhe i mirëkuptoj të gjithë ata që kanë një shqetësim të kësaj natyre, por besoj se të gjithë duhet të na mirëkuptojnë dhe ne, sepse kjo është e dyanshme. Ajo çfarë ne jemi duke bërë është në interes të qytetarëve, edhe të njerëzve të biznesit, sepse po aq e rëndësishme sa liria e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, po aq e rëndësishme është dhe lufta kundër krimit në përgjithësi dhe trafikut të drogës në veçanti. 

Ju duhet të dini që në Portin e Durrësit ka pasur disa shqetësime të kësaj natyre. Ne jemi fokusuar këtu në port për këto çështje. Kemi angazhuar më shumë burime njerëzore, më shumë kapacitete teknike, me bindjen dhe besimin se do duhet që ta frenojmë trafikun e drogës në Durrës.

Pyetje: Si e shikoni gjendjen e kufijve në rang vendi, kryesisht për tentativat e trafikut të lëndëve narkotike?

Ministri Xhafaj: Gjendjen e sigurisë së kufijve? Shumë herë më mirë seç ka qenë. Të jeni të sigurt nga pikëpamja e menaxhimit dhe sigurisë në  kufi Shqipëria mund të konsiderohet sot një nga vendet e sigurta në rajon.

Drejtori Veliu: Gjendemi këtu në radhë të parë për të përgëzuar shërbimin e Policisë Kufitare të Drejtorisë së Kufirit Durrës, i cili në bashkëpunim edhe me partnerët e tjerë të organizatave ligjzbatuese realizuan një operacion shumë të suksesshëm, u bë i mundur bllokimi i 11 kilogramë Heroinë. Ne do të vijmë sa herë të ketë rezultate Policia e Shtetit për t'i përgëzuar, motivuar punonjësit e Policisë, ashtu siç nuk do të ngurojmë të vijmë dhe të analizojmë punonjësit e Policisë kur do të abuzojnë me zbatimin e ligjit apo kur do shkelin ligjin. Puna në Portin e Durrësit do të vazhdojë, pavarësisht disa problematikave që mund të jenë hasur, por gjithçka është në funksion të forcimit të masave për kontrollin e kufirit. Nga ana jonë gjithçka është e fokusuar në drejtim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe të mallrave, por kjo krahas interesit të lëvizjes së lirë të mallrave dhe qytetarëve nuk do të thotë që ne duhet të neglizhojmë kontrollin e të gjithë personave me qëllim parandalimin e trafikut të narkotikëve apo edhe të trafikut të qenieve njerëzore.

Pyetje: Z. Veliu kanë gjetur trafikantët rrugë të reja për trafikimin e lëndëve narkotike duke shmangur pikat kufitare, por e bëjnë nga Vlora dhe Durrësi nëpërmjet skafeve dhe gomoneve?

Drejtori Veliu: Për të gjitha rastet apo rrugët e reja për të cilat ju pretendoni, ne jemi duke bashkëpunuar ngushtë me kolegët dhe partnerët tanë italianë dhe rastet kur janë zbuluar dhe janë kapur gomone me sasi lënde narkotike i kemi prezent dhe ju i keni pasqyruar në mediat tuaja.

Ministri Xhafaj: Mos mendoni çështjen e luftës kundër krimit dhe në mënyrë të veçantë çështjen e luftës  kundër trafikut të drogës një gjë që mbyllet brenda një dite dhe brenda një nate. Kjo është një histori e gjatë. Është një histori midis shtetit dhe kriminelëve. Është një histori ndërmjet njerëzve që duhet të zbatojnë ligjin dhe njerëzve që tentojnë të shkelin ligjin dhe ky është një proces që nuk mund të realizohet apo nuk mund të mbyllet as brenda një dite, as brenda një nate. Kjo është një betejë që do të vazhdojë dhe është shumë e rëndësishme që strukturat e Policisë së Shtetit, është shumë e rëndësishme që strukturat ligjzbatuese në vend, janë të angazhuar në një betejë frontale kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti.
Kjo është e rëndësishme, pastaj çështja që a do të ketë njerëz që do të tentojnë të bëjnë trafikun e drogës, të bëjnë trafikun e qenieve njerëzore, njerëz që do të tentojnë që përmes veprimtarisë së tyre kriminale të krijojnë problematika që lidhen me sigurinë publike, kjo është një gjë e njohur. E rëndësishme është forca, aftësia reaguese e shtetit dhe strukturave të angazhuara në këtë proces. Ajo që ne sot mund të themi me shumë qetësi dhe me shumë përgjegjësi është fakti që strukturat policore në të gjithë vendin janë të angazhuara në një betejë pa kompromis kundër krimit të përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti.

Ju e dini tashmë që ne jemi të fokusuar te lufta kundër grupeve kriminale. Edhe këtu në qytetin e Durrësit nuk është ndonjë gjë e panjohur, fakti që në qytetin e Durrësit dhe në territorin e Krujës dhe Fushë Krujës ka disa grupe kriminale të cilat paraqesin rrezikshmëri shoqërore. Janë të skeduar dhe po punohet nga ana e policisë në bashkëpunim me prokurorinë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese për t’i vendosur shumë shpejt përpara përgjegjësisë ligjore dhe besoj që shumë shpejt në këtë aspekt do të keni raste të shihni rezultate konkrete.

Pyetje: A keni mbështetjen e prokurorisë dhe organeve të tjera ligjzbatuese?

Ministri Xhafaj: Sapo e thashë, ajo që është risia edhe vetë operacioni “Forca e Ligjit” në mënyrën se si është konceptuar, në mënyrën se si është strukturuar nëpërmjet Task Forca-ve në përbërje të saj, është fakti që ka një ndërveprim një bashkëveprim të gjithë agjencive ligjzbatuese në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë ndërmjet Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe SHISH. Personalisht jam i bindur që shumë shpejt ky ndërveprim, ky bashkëpunim ndërmjet agjencive ligjzbatuese do të japë rezultatet e tij.

Pyetje: Sa grupe janë Z. Ministër?

Ministri Xhafaj: Kjo është një çështje profesionale dhe ministri nuk merret me këtë gjë. Besoj se nuk do ta merrni këtë përgjigje as nga Drejtori i Përgjithshëm, as nga Drejtori Vendor, sepse janë çështje të sekretit hetimor dhe meqenëse jam këtu, edhe ju duhet të kontribuoni për ruajtjen e sekretit hetimor.
Faleminderit!