Franca nuk e aprovon vendimin e Shteteve të Bashkuara për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe nuk pranon të transferojë ambasadën e saj nga Tel Avivi.

Ky qëndrim është shprehur nga presidenca franceze, e cila në një komunikatë zyrtare thekson nevojën që Jeruzalemi të bëhet kryeqytet i dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës.

“Franca është e vendosur t’i përmbahet së drejtës ndërkombëtare dhe të respektojë rezolutat e Këshillit të Sigurisë së OKB-së”, thuhet në komunikatë. Për Parisin zyrtar, Jeruzalemi duhet të kthehet në kryeqytetin e dy shteteve, sipas vendimeve që duhet të merren në negociatat e paqes mes Izraelit dhe Palestinës.

Komunikata është shpërndarë në të njëjtën kohë kur në Elize zhvillohej një takim mes presidentit Emmanuel Macron dhe kryeministrit Izraelit, Benyamin Netanyahu. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Macron i ka kërkuar Netanyahut që të pezullojë kolonitë izraelite, në “shenjë besimi” ndaj palestinezëve pas përleshjeve për Jeruzalemin.

“Mendoj se Izraeli mund të fillojë me pezullimin e ndërtimit të kolonive, si një gjest mirëbesimi ndaj palës palestineze”, ka thënë Macron. Të njëjtin qëndrim sa i përket Jeruzalemit, Macron ia përcolli më herët edhe presidentit turk Erdogan, gjatë një bisede telefonike. 

Nga ana e tij, Netanyahu ka deklaruar se përpjekjet për t’i mohuar lidhjen mijëravjeçare popullit hebre me Jeruzalemin janë absurde. Ai ka theksuar se, sa më parë palestinezët të pranojnë këtë realitet aq më shpejt dy palët do të ecin drejt arritjes së paqes.

“Mund të lexoni një libër shumë të mirë për këtë çështje, quhet Bibël. Mund të dëgjoni historinë e komuniteteve izraelite përmes diasporës sonë. Ku mund të jetë tjetër kryeqyteti i Izraelit përveç se në Jeruzalem?”, është shprehur Netanyahu.