“Nga 350 punonjës që ishin të punësuar në sektorin e ngarkim-shkarkimit, në kompanitë private të licensuara në këtë fushë, kanë mbetur vetëm 90 të punësuar. Edhe këta rrezikojnë të largohen nga puna për shkak se kompanitë e ngarkim-shkarkimit janë duke falimentuar si rezultat i favorizimit që i bëhet kompanisë koncensionare EMS në portin e Durrësit. I paguajmë shtetit 3.6 milionë lekë taksa në vit”.

Këtë ankesë i ka paraqitur përfaqësuesi i tre kompanive Sokol Skëndo Ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato gjatë takimit të zhvilluar me një numër të madh sipërmarrësish të Durrësit, në prani edhe të kryebashkiakut Dako.   

Skëndo tha se ankesat zyrtarisht i dërguan edhe në Autoritetin Kombëtar të Konkurrencës përgjigja e të cilit ishte se koncensionari EMS ka marrë avantazhet e një monopoli të pastër në portin e Durrësit.  

Ministrja Qato tha se këtë problem do e raportojë në mbledhjen e qeverisë.

Të tjerë biznese ngritën probleme nga më të ndryshmet. Një firmë ndërtuese, e cila ka realizuar një projekt në infrastruturë tha se kishte kryer investimin dhe nuk ishte paguar për punë e kryer, ndërkohë që tatimorët e kanë gjobitur.  

K.H.