Rreth 600 vende të reja pune pritet të hapen deri në vitin 2020 nga vënia në jetë e programit të qeverisë për investime në 100 fshatra të Shqipërisë.

Për këtë vit janë parashikuar 100 punësime të reja, në vitin 2019, 200 punësime dhe në 2020, 300 të punësuar.

Prioritet i veçantë pritet tu jepet të rinjve me 200 punësime dhe grave e vajzave ku janë parashikuar të futen në punë 180.

Gjithashtu, programi “100 fshatrat” do të financojë drejtpërdrejt biznese në këto zona, kryesisht sipërmarrje që operojnë në fushën e agroturizmit, për t’i dhënë hov zhvillimi të këtij sektori në veçanti si dhe rritjes së ekonomive lokale në këto zona, ku një pjesë e mirë e fshatrave të përzgjedhur, pavarësisht potencialeve që ofrojnë, kanë vuajtur nga mungesa e investimeve dhe varfëria.

Kështu, me grante janë parashikuar të mbështeten rreth 27 sipërmarrje të reja të agroturizmit për 3 vitet e ardhshme.

Mbështetje financiare është parashikuar edhe për 50 sipërmarrje prodhuese të produkteve tradicionale në total për periudhën 2018-2020.

Fondet do të vihen në dispozicion nga Ministria e Bujqësisë, por edhe nga donatorët./scan