Që kosovarët vazhdojnë të festojnë me shthurje të skajshme tregojnë edhe incidentet nga ato me armë, që kanë marrë edhe jetë dasmorësh deri te incidentet me fishekzjarrë në dasma. Për t’u dukur dasma më madhështore, nëpër dasmat kosovare vendoset zjarr e tym. Por, ditë më parë mosplanifikimi i tyre dhe moskujdesi ka çuar deri te djegia e vellos së një nuseje, që rrezikoi edhe vetë nusen. Policia e Kosovës ka treguar për Express shifrat rekorde të incidenteve në dasmat vendore, vetëm gjatë muajit korrik.

Sipas raportit të Policisë dhënë për Gazetën Express, vetëm gjatë korrikut janë shënuar 28 raste të incidenteve në dasma, që i bie mesatarisht një incident në çdo ditë të muajit. Ndonëse korriku dhe gushti njohën si muaj të dasmave në Kosovë.

Ahengjet familjare në Kosovë shpeshherë janë shënuar me incidente për shkak të gjuajtjeve me armë zjarri në dasma. Në të shumtën e rasteve ahengjet përfshirë këto edhe dasmat kanë përfunduar keq si pasojë e gjuajtjeve me armë. 

Por një rast më specifik ka ndodhur së fundmi në një dasmë shqiptare. Aty, ahengu u prish, jo nga gjuajtjet me armë por nga djegia e fustanit të nusërisë së nuses. 
Kanë qenë fishekzjarrët e vendosura nga stafi i restorantit ku familja e dhëndrit kishte vendosur ta festonte dasmën ato që e kanë prishur gjithë ahengun.

Momenti i shumëpritur, kur dhëndri vendosi të hyjë me nusen në sallën e dasmës, përfundoi keq. Velloja iu dogj nuses. Dhe në këtë mënyrë u shkatërrua e gjithë ceremonia. Por kush duhet të jap përgjegjësi për organizimet e tilla në dasma?.
Në Kosovë dasmat organizohen zakonisht nga kompanitë private që merren me to. Por, shpeshherë “planet” për të kënaqur çiftet i bëjnë vetë restorantet. 

Ekstravaganca në dasmë, me zjarr e me tym, pa ndonjë plan të mirëfilltë organizativ dhe me mungesë kujdesi ka çuar deri në incidentet si ai i djegies së vellos së nuses.   
Një nga restorantet në Prishtinë, në kushte anonimiteti, i ka treguar Gazetës Express, se janë menaxherët e lokaleve ata që bëjnë organizimin e dasmave.

Shumë herë gëzimet familjare kanë përfunduar me arrestime në to, falë shprehive për të festuar me armë. Gjatë muajit korrik, Policia e Kosovës tregon për Express se ka arrestuar 20 persona.

Policia e Kosovës tregon për Express se gjatë muajit që lamë pas janë konfiskuar 26 revole nëpër ahengje, prej tyre dy armë të gjata. Bashkë me armë, është konfiskuar sasi mjaft e madhe e municioneve. 

Ndërkohë, zyrtarët policorë kosovarë ka edhe raste kur shkojnë e bëjnë inspektime nëpër dasma. Kjo pas ndonjë thirrjeje nga qytetarët se aty po shtihet me armë, ose ka prishje të rendit dhe qetësisë publike. Vetëm gjatë muajit korrik, Policia ka shkuar si mysafir i paftuar në 5 ahengje kosovare. /gazetaekspress