Të tjera detaje dalin në lidhje me aksidentin e frikshëm rrugor në afërsi të Maminasit në autostradë, ku humbën jetën një taksist nga Durrësi dhe pasagjerja 23-vjeçare.

Burime nga policia thanë për “DurrësLajm” se 23-vjeçares Elena Avdillari iu gjet në çantë edhe një biletë udhëtimi me traget për në Bari. Viktima kishte shkuar në Durrës për t’u nisur drejt Italisë, por për arsye që nuk dihen, ajo është kthyer mbrapsh.

Burime nga Policia Kufitare thanë se Avdillari nuk u paraqit në sportelin e portit për të vulosur dokumentet, ndërsa asaj nuk i ishte refuzuar udhëtimi drejt Italisë.

Grupi hetimor ka nisur hetimet lidhur me faktin se pse Avdillari nuk u nis në Itali, por udhëtoi nga porti i Durrësit drejt Tiranës me një taksi. Fatkeqësisht udhëtimi u pre në mes pas aksidentit, ku humbi jetën dhe shoferi 60-vjeçar Bujar Agalliu.

Mësohet po ashtu se grupi hetimor po heton në dy pista: ngjarje aksidentale dhe aksident i qëllimshëm. Policia ka dyshime se mund të kemi të bëjmë me një sulm të qëllimshëm dhe jo thjesht një aksident. Është shpallur në kërkim drejtuesi i mjetit tip “Benz”, Fatjon Zhaporja, që përplasi nga pas taksinë.