Më datë 17 janar 2018, u çel në ambientet e bibliotekës së Kampusit të Ri të UAMD-së, Ekspozita ‘Në gjurmët e Gjergj Kastriot – Skënderbeut’. Ndryshe nga ekspozitat e mëparshme, këtë herë UAMD kishte menduar diçka më konceptuale, më interaktive dhe sigurisht më grishëse.

Ekspozita ishte konceptuar në dy anët e një prej ambienteve të bibliotekës, ku në njërën anë qëndronte një instalacion, i cili ishte konceptuar nga një tel i zakonshëm, ku gratë ndejnë rrobat çdo ditë, dhe veshje ‘të varura jo rastësisht në telin e ‘galerisë’.

Në secilën prej veshjeve, ishte stampuar një nga shprehjet e heroit tonë, që i ka përdorur për të udhëhequr betejat apo si mjet komunikimi. E duke ngritur një paralelizëm me studentët – mësuesit e ardhshëm të fëmijëve tanë, të udhëhequr nga fryma e punës, e respektit dhe dashurisë, të çojnë përpara vlerat e veta individuale, e të gjithë së bashku të udhëheqim një shoqëri më të mirë e të denjë.’ Studentët vishnin bluzën, mesazhi i së cilës u vinte më për shtat.

Pjesa tjetër e ekspozitës, prezantonte imazhe të stampuara të lokalizimeve të ndryshme, ku Gjergj Kastriot Skëndërbeu ka lënë gjurmë. Në Dibër kemi vendin e lindjes, në Krujë betejat e fituara, në Ardenicë – kurorëzimin e martesës, në Lezhë – varrin e tij e kështu me rradhë. Secila nga imazhet ilustrohej nga grupet e vogla të studentëve, të cilët nuk ngurronin të shprehin kënaqësinë që fituan nga kjo eksperiencë.

Mesazhi është i thjeshtë për t’u kuptuar, përcjellja e “gjurmëve” të Skënderbeut nga e shkuara drejt së ardhmes. Dhe në fakt, ky është dedikim për të, për mësuesit dhe edukatorin e ardhshëm, i cili realizon përcjelljen e gjurmëve dhe komunikimit në breza. Dhe kjo ekspozitë është një ftesë për të kuptuar këtë dedikim.