Deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj e ka pranuar se ka pasur momente kur nuk ka qenë dakord me një ligj por është bashkuar me partinë e saj. E ftuar në News24 në “Këndin e ekselencës” në emisionin e mëngjesit, Mehmetaj ka folur për karrierën e saj politike nisur nga mosha e saj e re, ashtu si për shkollën dhe parlamentin.

Mehmetaj tha se në ligjin e arsimit të lartë ka pasur disa nene për të cilat nuk ka qenë dakord, edhe pse ka shkuar në linjën e LSI-së, e cila në atë kohë ishte në maxhorancë me PS-në.

“Unë kam lindur në Fier dhe në klasë të parë kemi ardhur në Tiranë për të jetuar. Kam jetuar mes dy qyteteve dhe jam e lidhur me të dy. Kur mora lajmin që kisha fituar si deputete nuk më besohej. Iu thosha kontrolloni mirë…Pastaj ika me pushime me familjen time. Janë ata që më kanë mbajtur me këmbë në tokë.

Për sa i përket linjës, ka pasur një rast kur s’kam qenë dakord. Është ligji për arsimin e lartë, kur erdhi momenti i votimit në parlament, në bëmë një mbledhje dhe grupi mori vendimin që ta votonim edhe pse unë isha kundër disa neneve. Kur je brenda një grupi… Por bëra një hile, gjithë fjalimi im qe kundër ligjit dhe në nenet e ligjit, ato specifiket ku isha kundër, për kapitullin 12 psh, unë e votova kundër”, tha Mehmetaj.

Për teatrin ajo tha se i ka çuar të gjithë të njohurit e saj të firmosin kundër prishjes, ndërsa i bashkohet apelit për Presidentin Ilir Meta në lidhje me këtë çështje. Nuk mungoi edhe një këshillë e deputetes së LSI për të rinjtë.

“Lexoni shumë dhe mos ndryshoni karakterin. Ji vetja, sa më shumë vetja të jesh aq më shumë do të respektojnë”, tha Mehmetaj.