Është nënshkruar marrëveshja "100 fshatrat", që synon t'i kthejë këto fshatra në destinacione të reja turistike.

Kryeministri Rama ka bërë të ditur se ky është një rrjet bashkëpunimi mes qeverisë dhe botës universitare, për projektet e Programit Kombëtar të Rilindjes Rurale në funksion të 100 fshatrave të përzgjedhur.

“Shqiptarët e kanë treguar më shumë së një herë aftësinë për tu adoptuar, për ta ndjekur fillin e imagjinatës së tyre duke ju referuar modeleve të prekshme të suksesit që kanë parë nëpër botë. Ky është objektivi, të krijojmë shembuj të prekshëm suksesi që ti hapim sytë shumëkujt lidhur me atë ç’ka para syve e nuk e shikon. Më në fund në sektorin e bujqësisë dhe të zhvillimit rural ne po bëjmë realitet një veprim të munguar, po krijojmë rrugë dhe mundësi për shumë studentë që të jenë aktorë të zhvillimit. Ta shohin jetën e tyre jo domosdoshmërisht me një punë në shtet por me një aktivitet privat. Po shfrytëzojmë dijen e pedagogëve që kanë mundësi t’i vihen në shërbim duke bërë lidhjen mes auditorit dhe realitetit por edhe duke krijuar për veten e tyre mundësi që të përfshihen në një rrjetë konsulencash që të mund t’i japë vlerë të shtuar të ardhurave të tyre”.