Alfred Ismaili humbi tragjikisht jetën më 1 Shkurt të këtij viti, në një anije mallrash në portin e King’s Lynn, të Anglisë.

32-vjeçari, baba i 3 fëmijëve, jetonte në Durrës dhe ndodhej në bordin e anijes Sky Mare Navigation Explorer (SMN), kur u gjet i pajetë, në rrethana ende të pazbardhura.

Familja e tij në Durrës, sipas një artikulli të botuar këtë të hënë nga mediat britanike, ndodhet në vështirësi të mëdha ekonomike, pasi përveç humbjes se bashkëshortit, nëna e ve nuk ka marrë ende asnjë lloj kompensimi. Ata duhet të jetojnë me rreth 200 mijë lekë të vjetra në muaj.

Shkak për moskompensimin e familjes shqiptare për këtë fatkeqësi, sipas mediave britanike, është bërë mos përfundimi i hetimeve që po zhvillohen nga autoritetet britanike për vdekjen e shqiptarit.

Vetë kompania detare në anijen e të cilës gjeti vdekjen Ismaili mësohet se pagoi për varrimin e tij.

Në një intervistë të dhënë për BBC Radio Norfolk, Ahmet Bajrami, një i afërm i Ismailit tha se familja po përballet me vështirësi të mëdha financiare.

Ai tha se gruaja e 32-vjeçarit sëbashku me fëmijët po jetojnë tek babai i saj. Bajrami tha gjithashtu se deri më tani nuk janë kontaktuar nga pronarët e anijes.

Ndërsa një zëdhënës i kompanisë Sky Mare Navigation Explorer (SMN) tha se po presin për përfundimet e hetimeve.

“Nuk mund të paguajmë kompensim përpara se autoritetet të përfundojnë hetimet. Jemi ende të pritje të hetimit, në mënyrë që të përjashtojmë çdo skenar tjetër të mundshëm. SMN ka mbuluar shpenzimet e varrimit”.

Sipas kontratës së punësimit të Ismailit, në rast fatkeqësie, familja e tij duhet të marrë 102,308 dollarë dhe secili prej fëmijëve 20,462 dollarë.

Për kthimin e trupit të shqiptarit nga Norfolk u deshëm disa javë derisa të kthehej në atdhe për t’u varrosur. Familja e tij sot vuan jo vetëm humbjen e tij, e problemet financiare, por edhe shkaqet që çuan në vdekjen e babait të 3 fëmijëve.

Ai u gjet i pajetë orët e paradites së 1 Shkurtit në bordin e anijes. Shërbimet e emergjencës thanë se ai kishte pësuar dëmtime në trup, por që prej nisjes së hetimeve nga autoritetet detare nuk ka patur asnjë informacion për shkaqet e vdekjes së Ismailit. Hetimet për këtë pritet që të zgjasin mbi 12 muaj.//tvklan.al