Marrëdhënia mes trajnerit të Manchester United, Jose Mourinho, dhe mesfushorit francez, Paul Pogba, është më e nderë se kurrë.

As fitorja ndaj Leicesterit në javën e parë të Premier Leagues nuk ka shërbyer që situata të qetësohet. Kampioni i saposhpallur i Botës, ndihet i burgosuri i portugezit, ndërsa trajneri luzitan është i lodhur me “qurravitjet” e futbollistit të tij.

Sipas “Sun”, që citon një burim të besueshëm në dhomat e zhveshjes së “Djajve të Kuq”, ka patur një debat të nxehtë mes palëve, pas fjalëve të francezit se “nuk ndihem i lumtur dhe nuk mund të të flas më shumë sepse më gjobisin.”

“Nëse akoma dëshiron të largohesh nga Manchesteri, – mësohet t’i jetë drejtuar Mourinho, – duhet të ma kërkosh, që të të lë të ikësh. Dhe nëse ke ndonjë problem me mua, ma thuaj në sy, jo në media.”

E menjëhershme përgjigjja ironike e Pogbasë: “Nëse dëshiron të flasësh me mua, telefono menaxherin tim.”

Pogba ndihet i burgosur i Jose Mourinhos, sidomos tani që merkatoja në Angli është mbyllur. Ekziston ende mundësia teorike që të largohet nga Manchesteri dhe t’i bashkohet Barcelonës (merkatoja në Spanjë mbyllet më 31 gusht). 

Sipas Daily Mail, është arritur marrëveshja me “blaugranat” që i ofrojnë 20 milionë euro në vit për 5 sezonet e ardhshme. Transferimi i Pogbasë në “Camp Nou” vështirë se do të ndodhë para merkatos së janarit, pasi “Djajtë e Kuq” duhet patjetër të gjejnë një zëvendësues të denjë për të.