Pas një hetimi disamujor, finalizohet operacioni policor i koduar “Danubi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt fitimit.
Vihen në pranga 5 shtetas dhe shpallen në kërkim 8 shtetas të tjerë. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 3 automjete, 4 pasaporta dhe një sasi e konsiderueshme në lekë dhe euro.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga strukturat e DVP Durrës për goditjen e paligjshmërisë, pas një hetimi disamujor, specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Danubi”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit:
M. Xh., 58 vjeç, I. B., 58 vjeç, I. G., 64 vjeç, A.N., 49 vjeç, banues në Durrës dhe E. B., 39 vjeç, banues në Fushë-Krujë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje narkotikësh.
Po në kuadër të operacionit u bë shpallja në kërkim e 8 shtetasve të tjerë që dyshohet se janë të përshirë në këtë veprimtari kriminale. Për arsye hetimi, policia nuk bën me dije të dhëna të tjera të tyre. Në bashkëpunim me homologët vijon puna për lokalizmin, kapjen dhe ekstradimin e tyre drejt vendit tonë.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me shtetasit e shpallur në kërkim, ushtronin veprimtari kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Këta shtetas, kundrejt fitimit nga 1000 deri në 2500 euro, u jepnin ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit, personave që u refuzohej hyrja në vendet e BE-së.
Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan 3 automjete që përdoreshin për transportin e personave, 4 pasaporta biometrike dhe një sasi e konsiderueshme në euro dhe lekë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.