GJIROKASTER- Persona të paidentifikuar kanë vendosur drogë në makinën e shefit të Krimeve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër. Sipas burimeve zyrtare, autorët kanë fshehur në bagazhin e automjetit tip "Benz" të Shefit të Parandalimit dhe Hetimit të Krimit, një sasi prej 11 kg lëndë narkotike, e cila është konstatuar nga vetë efektivi Adriatik Logli, në orët e pasdites së djeshme.

Mësohet se droga ishte brenda një çante shpine, e ndarë në pako. Menjëherë shefi i krimeve ka njoftuar sallën operative, Drejtorin e Policisë së Gjirokastrës, Shefin e Komisariatit, si dhe shefin e SHKB-së.

Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, i kryesuar nga prokurori i rrethit, ku ka konstatuar se në bagazhin e makinës, që ka qenë e parkuar gjatë natës para oborrit të shtëpisë së tij, ishin 11 kg marijuanë, e paketuar në mënyrë të çrregullt.

Grupi hetimor, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, rreth 70 metra larg shtëpisë, ka gjetur prova që kanë lënë autorët gjatë ikjes nga vendi i ngjarjes dhe po punohet për zbulimin e tyre. Shefi i krimeve është aktualisht në detyrë dhe përjashtohet implikimi i tij, pasi ka qenë ai vetë që ka njoftuar për ngjarjen dhe ka kërkuar mbrojtje, pasi ndihet i pasigurt.