Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur të votojë pro kandidatëve të PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala, për postet e nënkryetarëve të Kuvendit, në vazhdimin e seancës konstituive, e cila është caktuar për nesër në orën 10:00.

Vendimi u mor sonte gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Kryesisë së partisë, me qëllim, siç thuhet në njoftim, sigurimin e stabilitetit institucional pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe shmangien e një pale të re zgjedhjesh të parakohshme, të cilat do të ishin të katërtat në më pak se dy vjet.

Nga partia në pushtet deklaruan se ky vendim konsiderohet një hap i vullnetit të mirë dhe se presin një reflektim të njëjtë konstruktiv nga partitë opozitare gjatë procesit të zgjedhjes së kreut të shtetit.

“Presim që pas konstituimit të Kuvendit, ky hap i vullnetit të mirë të reflektojë në konstruktivitetin e tyre, duke votuar për presidentin, qoftë ajo edhe votë kundër”, theksohet në qëndrimin e Kryesisë.

Në deklaratë përmendet edhe marrëveshja e pretenduar politike, duke veçuar shpresën që deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, pas zgjedhjes si nënkryetar, të marrë pjesë në seancën ku pritet të votohet Bekim Sejdiu për postin e presidentit të vendit.

Kryesia e LVV-së iu referua edhe zhvillimeve të vitit 2025, kur partia kishte propozuar dhe më pas kishte zëvendësuar katër kandidatë për kryetar të Kuvendit, Albulena Haxhiun, Donika Gërvallën, Hekuran Muratin dhe Arbërie Nagavcin, përpara se të zgjidhej Dimal Basha në këtë post.

Ndryshe nga ajo situatë, LVV-ja ka bërë të ditur se kësaj radhe nuk do të kërkojë zëvendësimin e kandidatëve të propozuar nga PDK-ja dhe LDK-ja për postet e nënkryetarëve të Kuvendit, duke konfirmuar se do t’i mbështesë me votë.