Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë procedurat gjyqësore dhe aktgjykimin që pritet të shpallet më 16 shtator nga Gjykata Speciale e Hagës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
BE-ja ka sqaruar gjithashtu se vendimi i shkallës së parë, i paralajmëruar për 16 shtator, nuk shënon përfundimin e procesit gjyqësor. Sipas Brukselit, vendimi mund të apelohet si nga mbrojtja, ashtu edhe nga prokuroria. Bashkimi Evropian ka vlerësuar se puna e Dhomave të Specializuara është e rëndësishme për promovimin e llogaridhënies dhe për njohjen e përvojave të viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet e Kosovës.
Ndërkohë, në Prishtinë do të zhvillohet sot një marsh paqësor në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së. Marshi nis në orën 14:00 dhe pritet të mbledhë qytetarë nga e gjithë Kosova, të cilët kërkojnë drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.





