TIRANË- Forca të shumta policie kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në ish-godinën e çerdhes nr.36 tek ish-Fusha e Zezë, për të nxjerrë që aty familjet e strehuara. Banorët kanë paralajmëruar se nuk do dalin nga godina, që ajo t’ju kthehet ish-pronarëve, pasi ata pretendojnë se kjo pronë është shtetërore. 

Situata pranë ish-Fushës së Zezë paraqitet e tensionuar në këto momente. Banorët janë konfrontuar fizikisht me forcat e policisë, ndërkohë që një grua tenton të vetëflijohet në taracën e shtëpisë së saj. 

Ajo ka marrë një bombol gazi 15 litërshe, mban një shkrepse në dorë dhe paralajmëron se do t’i vërë flakën nëse polica hyn në shtëpinë e saj. Banorët kanë shprehur irritimin e tyre edhe ndaj pronarit të tokës, madje një djalë i ri është konfrontuar fizikisht me të.

Sot ka përfundur edhe afati kur këta banorë duhet të lironin banesat, prandaj përmbaruesit janë paraqitur aty për të ekzekutuar vendimin. Nga ana tjetër banorët kundërshtojnë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës nga Përmbarimi. “Ka një vendim në hipotekë që prona u është blerë pronarëve. Kthimi i pronës është i paligjshëm”, rrëfen një banor. 

Sipas tij 12 familjet janë ende në proces gjyqësor, prandaj nuk pranojnë të dalin nga shtëpitë e tyre. Disa prej tyre rrëfejnë se janë të papunë, e nuk kanë ku të shkojnë.

Familjarët prej 20 vitesh banojnë në godinën 1 katëshe tek kryqëzimi i 21 Dhjetorit, teksa ligji kërkon tu kthejë banesën ish-pronarëve. Protestuesit pretendojnë se kjo banesë ish-shtetërore i përket tyre dhe duhet që ta privatizojnë ato, ndërkohë që theksojnë se ndërtesa është ndërtuar në vitin 1995, dhe ish-pronarët e tokës janë dëmshpërblyer.