TIRANË – 157 trupa të Forcave të Armatosura Shqiptare u nisën të enjten me mision në Afganistan. 107 prej tyre i përkasin Kontigjentit të 12-të Paqeruajtës dhe do të kontribuojnë në zonën e Heratit, ndërsa 50 ushtarakët e Kontigjentit "Eagle 6" do të jenë prezentë në zonën e Kandaharit. 

Në ceremoninë përcjellëse, organizuar në mjediset e garnizonit ushtarak të Zall-Herrit, ministri i Mbrojtjes Arben Imami, vuri në dukje kontributin në rritje të trupave shqiptare në operacionet paqeruajtëse globale. 

Fakt për këtë, tha ai, është dërgimi i trupave të forcave speciale në operacione luftimi në zonën më të rrezikshme të Afganistanit, në Kandahar, si dhe dërgimi i ekipeve trajnuese e këshilluese, të cilat i kanë rritur së tepërmi kreditet tona në kuadër të Aleancës. 

Sipas Imamit, misioni "Eagle" i Batalionit të Forcave Speciale është shndërruar në simbolin e profesionalizmit të ushtarakëve shqiptarë, në kryerjen e detyrave me rrezikshmëri të lartë, në bashkëpunim me trupat amerikane. 

Me këtë rast ai kujtoi aktin e rënies në krye të detyrës së kapiten Feti Voglit, në muajin shkurt të vitit që shkoi. "Kontributi i Forcave tona në misionet paqeruajtëse tashmë është çimentuar edhe me gjakun e Dëshmorit të Atdheut, Kapiten Feti Vogli, i cili humbi jetën gjatë kryerjes së misionit". 

Ai vlerësoi mbështetjen që trupat paqeruajtëse shqiptare kanë pasur nga aleatët strategjikë, SHBA dhe Itali, me asistencën e dhënë, si në fazën trajnuese, ashtu edhe gjatë operacioneve të përbashkëta. 
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, duke iu drejtuar trupave paqeruajtëse, theksoi se "ju keni përgjegjësinë e madhe dhe mundësinë të përfaqësoni vendin tuaj përpara aleatëve në fushën e betejës". 

"Shqipëria ka disa vite që është e angazhuar në këto misione, ajo ka investuar për to dhe ju përfaqësoni më të mirën e FA-së shqiptare", tha Arvizu. 

Vlerësime për trupat shqiptare bëri dhe ambasadori italian Gaiani, i cili theksoi se kontributi i tyre është dëshmi e integrimit, përkrah aleatëve të tjerë të NATO-s. 

Kontigjenti i 12-të Paqeruajtës përbëhet nga 107 ushtarakë, efektivë të Batalionit Komando të Forcës Tokësore dhe përfaqësues nga shtabet, SHIU dhe Policia Ushtarake. Ndërsa, kontingjenti "Eagle 6" përbëhet nga 50 ushtarakë, efektivë të Batalionit të Forcave Speciale të Forcës Tokësore. 

Nisja e dy kontingjenteve bëhet në kuadër të rotacionit 6-mujor në Afganistan. Ata do të zëvendësojnë Kontingjentin "Herat-11" dhe "Eagle 5". Efektivat e këtyre dy kontingjenteve paqeruajtëse janë të mirëtrajnuar dhe mirëkompletuar.