Vitet e fundit rakia dhe alkooli turk ka sjellë rritje alarmante të vdekjeve për shkak të helmimeve. Problemin më të madh e kanë qytetet e mëdha, si Stambolli, Ankaraja Izmiri, si dhe zonat turistike. Këtë vit, numri i vdekjeve nga alkooli i falsifikuar është rritur në mënyrë dramatike. Që nga fillimi i vitit në Turqi kanë humbur jetën të paktën 160 persona.

Sipas ministrit të Brendshëm turk, Ali Yerlikaya deri në fund të shkurtit, 648,000 litra pije alkoolike të prodhuara ilegalisht ishin sekuestruar, duke përfshirë raki turke, por edhe pije “ndërkombëtare” si vodka, uiski dhe xhin. Në lidhje me këto raste janë arrestuar rreth 560 të dyshuar.

Çmimet e pijeve alkoolike në Turqi janë rritur ndjeshëm vitet e fundit për shkak të taksave të larta. Një shishe raki tani kushton rreth 35 euro. Me një pagë minimale prej rreth 572 euro në muaj, kjo është një shumë e paarritshme për shumëkënd.

Shkaku kryesor i helmimit nga alkooli është përdorimi i metanolit të lirë, i cili i shtohet pijeve të përgatitura ilegalisht në vend të alkoolit të pijshëm, etanolit. Cagin Tan Eroglu nga platforma e monitorimit të politikave të alkoolit thekson se alkooli i falsifikuar nuk mund të dallohet nga alkooli i zakonshëm në erë, ngjyrë apo shije. Metanoli është jashtëzakonisht toksik dhe mund të shkaktojë probleme me shikimin, të vjella, marramendje dhe dështim të organeve, ndërsa në rastin më të keq mund të çojë edhe në vdekje.

Pas vdekjeve të fundit nga alkooli i falsifikuar, shoqatat profesionale të ekspertëve të industrisë ushqimore turke i kanë bërë thirrje vazhdimisht qeverisë. Ata besojnë se taksat tepër të larta nuk kanë çuar në uljen e konsumit të alkoolit, por përkundrazi e kanë bërë situatën edhe më të rrezikshme për shëndetin publik.

Në të njëjtën kohë, ata bëjnë thirrje për intensifikimin e kontrolleve për të luftuar prodhimin e paligjshëm të alkoolit. Së fundi, ata i bëjnë apel qeverisë që të ulë taksat e tepërta, të cilat tashmë janë shumëfish të kostos së prodhimit, në mënyrë që qytetarët të mos i drejtohen tregut të zi.