Një 38-vjeçar është arrestuar pranë fushës së golfit të presidentit amerikan Donald Trump në Rancho Palos Verdes, Kaliforni, pak ditë para një aktiviteti për mbledhje fondesh ku pritet të marrë pjesë kreu i Shtëpisë së Bardhë.

I arrestuari, Janin John Taele, u vu nën vëzhgim pasi u pa duke fotografuar dhe filmuar ambientet e Trump National Golf Course, përfshirë edhe zonat ku po përgatiteshin masat e sigurisë për aktivitetin e ardhshëm.

Sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut të Los Anxhelosit, gjatë kontrollit ndaj tij u gjet një pistoletë dhe municione të paligjshme. Në automjetin e 38-vjeçarit policia sekuestroi një armë të mbushur dhe një tjetër karikator me municione të tipit hollow-point.

Hetimet zbuluan gjithashtu se Taele ishte person i kërkuar nga Policia e El Segundo për një çështje grabitjeje. Autoritetet gjetën gjatë kontrollit fizik një karikator me 16 fishekë, ndërsa ligjet e Kalifornisë ndalojnë përdorimin e karikatorëve me kapacitet mbi 10 fishekë.

Një ditë pas arrestimit, agjentë të FBI-së dhe Njësisë së Përbashkët Kundër Terrorizmit kontrolluan banesën e tij në Downey. Gjatë operacionit u sekuestruan një pushkë e modifikuar në mënyrë të paligjshme e tipit AR, një pistoletë, jelek antiplumb, karikatorë me kapacitet të lartë, sasi municionesh dhe disa blloqe shënimesh që autoritetet i cilësuan si materiale shqetësuese.

Hetimet po vijojnë në bashkëpunim me Shërbimin Sekret amerikan. Deri tani nuk janë gjetur prova për një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Donald Trump apo një plan konkret sulmi ndaj tij.

Ngjarja vjen në një periudhë kur siguria rreth presidentit amerikan është shtuar pas disa incidenteve të mëparshme ndaj figurave politike në SHBA.