Vendi ynë do të vijojë të jetë nën ndikimin e motit të paqëndrueshëm edhe gjatë ditës së premte. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak (SHMU), moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, të shoqëruara me intervale të shkurtra kthjellimi.

Reshjet e shiut do të nisin fillimisht përgjatë vijës bregdetare, me intensitet të ulët, dhe më pas pritet të shtrihen në pjesën tjetër të territorit. Në Ultësirën Perëndimore, reshjet mund të shoqërohen lokalisht me shtrëngata afatshkurtra, shkarkesa elektrike dhe, në raste të izoluara, breshër.

Në zonat malore të verilindjes, lindjes dhe juglindjes së vendit, reshjet priten në formën e dëborës.

Temperaturat do të luhaten nga 8°C në qytetet veriore dhe në Korçë, deri në 26°C në Sarandë.

Era do të fryjë kryesisht nga juglindja dhe verilindja, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Përgjatë vijës bregdetare, veçanërisht në atë veriperëndimore, si edhe në zonat luginore, era pritet të forcohet dhe të arrijë deri në 17 m/s.

Në det, valëzimi parashikohet të jetë i forcës 2–3 ballë.