Një 51-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën në një aksident në punë në Padova të Italisë.
Altin Kokici, pronar i një kompanie ndërtimi dhe banues në provincën e Vicencës, u gjet i pajetë në hapësirën e ashensorit të një godine në rikonstruksion, ku po kryente punime.
Familjarët kishin njoftuar policinë pasi nuk kishin mundur të kontaktonin prej disa orësh, ndërsa vendndodhja e tij u përcaktua fillimisht përmes sinjalit të celularit.
Ngjarja e rëndë ndodhi në një kantier ndërtimi në via Goito, në Padova, ku po kryheshin punime rikonstruksioni. Sipas policisë italiane, Kokici dyshohet se ka rënë në hapësirën e ashensorit, duke humbur jetën nga rënia.
Familjarët e tij, të shqetësuar pasi 51-vjeçari nuk ishte kthyer në shtëpi dhe nuk përgjigjej në telefon, njoftuan policinë. Agjentët shkuan në kantier, ku gjetën edhe furgonin e Kokicit, me kasën e hapur.
Policia lokalizoi celularin e shqiptarit dhe më pas telefonoi në numrin e tij. Duke ndjekur tingullin e telefonit, efektivët arritën të përcaktonin se ai ndodhej në hapësirën e ashensorit, ku u gjet trupi i pajetë.
Në vendngjarje mbërritën ekipet e urgjencës, zjarrfikësit, policia shkencore dhe strukturat e tjera të policisë.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes dhe për të kuptuar se si ndodhi rënia.





